Avokati Uljan Bajrami është liruar me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Ky vendim erdhi dy ditë pas arrestimit të tij.
“Lidhur me ndalimin e shtetasit Ulian Bajrami, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore ipso jure, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më tej sqarohet se: Mbi bazën e transkriptimit të përmbajtjes së komunikimeve të mësipërme, të shtrira në disa orë të zhvillimit të seancës gjyqësore, si dhe pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, nga ana e policisë gjyqësore është proceduar me ndalimin e shtetasit U.B. Pas administrimit të materialeve procedurale në prokurori, më datë 20.10.2025, bazuar në nenin 287/1 të K.Pr.Penale, me qëllim kryerjen e hetimeve për të grumbulluar të dhëna të plota për përcaktimin e faktit, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është regjistruar procedimi penal nr. 1222/2025, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 238/3 i Kodit Penal, “Kanosja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 316 i Kodit Penal”. Ndërkohë, lidhur me ndalimin e shtetasit U.B, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore ipso jure, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit. Veç sa më lart, duke mos paragjykuar çështjen konkrete dhe ecurinë e hetimeve, gjejmë rastin të ritheksojmë se profesionistët e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. Asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës”
Gjithashtu në reagim Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në nënvizon se sistemi i drejtësisë kërkon bashkëpunim institucional, respekt reciprok dhe integritet profesional nga të gjitha hallkat e tij.
“Qëndrimet publike të nxituara, të pabazuara në raportime zyrtare të institucioneve të përfshira, apo në vendimmarrje konkrete procedurale, apo qëndrimet që relativizojnë ose justifikojnë sjellje të kundërligjshme, dëmtojnë rëndë misionin e përbashkët për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e drejtësisë. Prokuroria mbetet e vendosur të garantojë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit të çdo funksionari të drejtësisë, apo Policisë se Shtetit, përballë çdo forme presioni, intimidimi apo kërcënimi”, nënvizohet më tej.