Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, ku kreu i qeverisë e ka paralajmëruar Spiropalin për përjashtim nga partia, pas kritikave të saj mbi mënyrën e funksionimit të PS-së.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Koçi thekson se raporti me Partinë Socialiste nuk duhet parë si një mjet për karrierë personale, por të përpiqen ta përmirësojnë. Ish-deputeti shprehet se qeveria nuk duhet të presë që korrupsionin ta luftojë vetëm SPAK-u e GJKKO-ja, por të ndërhyjë me masa administrative ndaj çdo zyrtari që rezulton me shkelje, sidomos financiare.

Reagimi i Petro Koçit:

Të duash Partinë Socialiste është ndryshe nga të të duhet Partia Socialiste.

Ata që e duan përpiqen ta përmirësojnë, ta përsosin sepse u dhembin përpjekjet, vuajtjet, sakrificat, kontributet e mijëra militantëve të saj ndër vite. Ata, të cilëve thjesht u duhet partia për karrierë e për t’u pasuruar, shpesh e vjedhin pushtetin e saj, e shpërdorojnë dhe e baltosin moralin e saj publik.

Nëse punët nuk ecin si duhet, ata që e duan PS-në përpiqen të ndërhyjnë duke analizuar, këshilluar e propozuar.

Të korruptuarit ose tradhtarët e votëbesimit popullor ndaj PS-së përpiqen t’i mbulojnë problemet apo dukuritë regresiste. Ata ndërtojnë skema që shmangin pushtetin e anëtarësisë së partisë në proceset vendimmarrëse. Sillen me arrogancën e një pushteti të deleguar nga lart. Ata vendosin motin politik në parti. Sillen si bajraktarë të dikurshëm, por të veshur me Armani ama.

Prandaj kam kërkuar që të balancohet marrëdhënia duke u dhënë anëtarësisë të paktën gjysmën e pushtetit të të deleguarve. Republika t’u hiqet nga duart drejtorëve e të deleguarve e t’i dorëzohet sovranit e përfaqësuesve të tij.

Qeveria të mos presë që korrupsionin ta luftojë vetëm SPAK e GJKKO, por të ndërhyjë me vendosmëri me masa administrative ndaj çdo zyrtari që rezulton me shkelje, sidomos financiare, nga kontrollet e KLSH-së apo auditët shtetërore.

Partia të bëhet më kolegjiale në vendimmarrjet përfaqësuese dhe të respektohet në mënyrë institucionale vlerësimi i anëtarësisë së PS-së për çështjet e rëndësishme politike.

Qasja institucionale të synojë shndërrimin e partisë në një instrument demokratik të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisje gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të mandatit.

Zërat kritikë në çdo rast të ruajnë etikën dhe të sigurojnë vetëpërmbajtje konstruktive në mënyrë që të mos u lënë hapësirë të korruptuarve të mbajnë flamurin e parimit të unitetit.

PS i ka të gjitha energjitë, përvojën dhe mençurinë që të vetëkorrigjohet në çdo aspekt, të ecë përpara në një qeverisje të suksesshme që realizon me meritë integrimin evropian të vendit dhe që sfidon një opozitë mjerane prapakthimi në përballjet e ardhshme elektorale.