Disa prej protestuesve janë shoqëruar nga policia gjatë protestës së 94-t radhazi që po zhvillohet këtë mbrëmje në Tiranë. Shoqërimet kanë ndodhur në një moment tensioni përpara Kryeministrisë, ku vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa policia po përpiqet për të zmbrapsur protestuesit që kanë tentuar të avancojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Një autobot ka mbërritur pranë institucionit për të qenë në gatishmëri në rast se situata do të përshkallëzojë.

Protesta e sotme shënon ditën e 94-të të një aksioni qytetar që ka nisur prej më shumë se tre muajsh. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në listën e kërkesave të tyre përfshihen edhe ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor. Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu përshkallëzim të protestave gjatë muajve shtator dhe tetor, duke kërkuar një mobilizim më të gjerë qytetar. Situata mbetet në zhvillim.