Pas tensioneve që po shoqërojnë protestën e 94-të te Kryeministria, ka mbërritur edhe autoboti me ujë. Protestuesit kanë rrethuar Kryeministrinë, duke tentuar të hyjnë brenda ambienteve, ndërsa policia ka blinduar godinën. Disa protestues kanë qëlluar edhe me gurë drejt kordonit të policisë dhe një efektiv raportohet të jetë lënduar
Në zonë kanë mbërritur dhe forcat “Shqiponja”, pasi brenda godinës ndodhet kryeministri Edi Rama. Makina e tij ishte duke pritur në një nga hyrjet kryesore dhe kjo ka bërë që protestuesit të kërkonin të hynin brenda për t’u ballafaquar me të.
Protesta e sotme shënon ditën e 94-të të mobilizimit qytetar. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkohet gjithashtu ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore. Tubimi ka hyrë në një fazë të re, me protestuesit që tashmë janë pozicionuar në dy pika rreth godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia vijon të mbajë të rrethuar institucionin dhe të pengojë çdo tentativë për avancim.
