Komisioni i Reformës Zgjedhore është përfshirë nga një debat i ashpër ku protagonistë kanë qenë deputeti demokrat Ivi Kaso dhe socialisti Ulsi Manja. Teksa ky i fundit ishte duke folur me kreun e SPAK, Klodian Braho i cili po raporton në Komision, ka ndërhyrë Kaso, duke i ndërprerë fjalën Manjas. Socialisti ka reaguar i acaruar duke iu drejtuar Kasos me fjalët “O legen”.
Manja: “Shoh rendin e ditës këtu, seancë dëgjimore. Tani, që të kthehet në normalitet mbledhja, Prokurori ka raportuar mbi veprimtarinë e tij në komisionin përgjegjës javën e kaluar. Aty u trajtuan të gjitha këto gjëra. Edhe drejtuesi i SPAK-ut do të vijë në datën 3 korrik të raportojë mbi gjendjen e luftës kundër kriminalitetit. Këtu unë mendoj, zoti Gjiknuri dhe zoti Bylykbashi, se i keni thirrur të japin ndonjë rekomandim për punën.“
“Gjithçka është në rregull”, u dëgjua të thuhej në sallë.
Manja: “Prit ta mbaroj unë. Secili është i lirë këtu. A ka mundësi, procedura? A ka mundësi, zoti Gjiknuri dhe zoti Bylykbashi, t’u referoheni saktë rendit të ditës? Do t’ju kërkoja t’i përmbaheni rendit të ditës. Mbylle gojën, o legen. Mbylle gojën, se të kam dëgjuar fort. A ka mundësi? Sepse vijmë këtu dhe bëjmë gjyqe. Pusho ti, qepe gojën, mbylle, dërr -dërr-dërr o legen!“
Gjiknuri: “I kemi thirrur këtu për çështjet e krimeve zgjedhore. A doni ta kthejmë në një seancë produktive, t’i dëgjojmë?“
