Më 18 mars 2025, nga qelia e burgut të Durrësit ku ndodhet nën masën “arrest me burg”, Erion Veliaj firmosi urdhrin nr. 582, duke ia deleguar përkohësisht detyrat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nënkryetares Sara Goxhaj. Ky vendim shfuqizoi urdhrin e mëparshëm të datës 14 shkurt, me të cilin këto detyra i ishin deleguar Anuela Ristanit.

Në urdhrin e firmosur nga Veliaj dhe të protokolluar me nr. 11273, përcaktohet se Sara Goxhaj do të ushtronte detyrën nga data 19 mars deri në një vendim të dytë, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Alban Dokushi, do të ngarkohej me zbatimin e këtij urdhri.

Megjithatë, ky vendim nuk u miratua nga kryeministri Edi Rama, i cili ndërhyri menjëherë. Sipas burimeve, Rama urdhëroi Protokollin e Bashkisë të mos regjistrojë vendimin e Veliajt dhe konfirmoi në detyrë Anuela Ristanin. Një ditë më pas, Rama zhvilloi një vizitë në Bashkinë e Tiranës, ku u takua me drejtuesit dhe inspektoi disa projekte të qytetit së bashku me Ristanin.