Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për përcaktimin e pagës referuese të gjyqtarëve, duke e cilësuar situatën si një ngërç serioz institucional.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzon qeverinë dhe mazhorancën se nuk kanë zbatuar në kohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke krijuar sipas tij një përplasje mes pushteteve.
Sipas Bardhit, që prej 1 gushtit sistemi gjyqësor ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi dispozitat përkatëse u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku.
Në këtë situatë, KLGJ vendosi të përcaktojë vetë pagën referuese të gjyqtarëve, duke e rritur atë nga 156 800 në 222 425 lekë. Gjithashtu, u miratua kompensimi i diferencave të pagave për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Bardhi e konsideron vendimin një zhvillim të paprecedentë dhe ngre pikëpyetje mbi kompetencat e KLGJ-së.
“Sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit”, deklaroi ai.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, zgjidhja duhet të vijë përmes Kuvendit, i cili duhet të ndërhyjë menjëherë për të shmangur përplasjen institucionale.
Bardhi kërkon zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ato janë detyrim kushtetues dhe jo zgjedhje politike.
Reagimi i Bardhit:
Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026.
Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre.
Krijimi i këtij ngërçi institucional dhe përplasja ndërmjet kompetencave kushtetuese të pushteteve jo vetëm që mund, por edhe duhet të shmangen. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të veprojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë për ta trajtuar dhe zgjidhur këtë çështje. Kjo është edhe më e domosdoshme përballë refuzimit të Këshillit të Ministrave për të përmbushur përgjegjësinë e përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë që më 4 maj 2026.
Mosveprimi i Kuvendit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, me pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Ky qëndrim dëmton rëndë edhe frymën e luajalitetit kushtetues që duhet të udhëheqë marrëdhëniet ndërmjet pushteteve në një shoqëri demokratike.
Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen të zbatohen sipas interesit politik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime dhe as mundësi për t’u zbatuar kur i leverdis mazhorancës. Ato janë detyruese. Respektimi i tyre është detyrim kushtetues, jo zgjedhje politike.
