Vrasja në Fier


Policia tha se 18-vjeçari tregoi rolin e të arrestuarit të parë. Prokuroria e mohon


Organi i akuzës shpjegon se po rishikohet pozicioni i Gentjan Shahinajt për vrasjen e Andi Priftit



Ndërsa policia njoftoi të hënën ndalimin e dy personave të dyshuar në bashkëpunimin e vjedhjes me pasojë vdekjeje të 21-vjeçarit Andi Prifti, vazhdon të mbetet ende i mjegullt pozicioni i të 25-vjeçarit Gentjan Shahinaj në këtë krim, i cili u arrestua pak ditë pas ngjarjes. Fillimisht, burime nga policia pohuan se 18-vjeçari i arrestuar para dy ditësh, i cili rrëfeu vrasjen, kishte pranuar se Shahinaj ishte i përfshirë në këtë krim dhe disponoheshin prova për implikimin e tij, por dje prokuroria e ka hedhur poshtë këtë version. Sipas të dhënave nga prokuroria, gjatë dëshmisë, Andrea Rrapaj nuk e ka përmendur në asnjë moment Gentjan Shahinajn.


Përplasja


Pas zbulimit të celularit të viktimës, që rezultonte ta kishte përdorur për disa ditë 18-vjeçari Andrea Rrapaj, ky i fundit pranoi të rrëfehej duke deklaruar se Andi Prifti ishte qëlluar me thikë nga shoku i tyre 25-vjeçar, Erald Elmazi. Burime të policisë pohuan dy ditë më parë për gazetën se në dëshminë e tij, 18-vjeçari Andrea Rrapaj implikonte në ngjarje edhe 25-vjeçarin Gentjan Shahinaj, duke deklaruar se ky i fundit kishte bashkëpunuar në fshehjen e motorit të viktimës. Ndërkaq, të njëjtat burime shtojnë se ka të tjera rrethana dhe prova që ngrenë dyshimet për implikimin e Shahinajt në këtë ngjarje. Ndërsa burime të organit të akuzës kanë sqaruar se është duke u hetuar mbi pozicionin e Gentjan Shahinajt në vrasjen e studentit të Juridikut, por sipas tyre, 18-vjeçari Rrapaj nuk e ka përmendur Shahinajn në rrëfimin e tij. Megjithatë, janë duke u verifikuar të gjitha materialet e tjera hetimore për të vendosur nëse do të kërkohet ose jo ndryshimi i masës së sigurisë së caktuar ndaj tij.


Shahinaj


Dy javë më parë, Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat ndaj Gentjan Shahinajt, por nga burime të besueshme të prokurorisë mësohet se pritet që të kërkohet një masë sigurie më e lehtë për të. Masa e sigurisë “arrest në burg” e kërkuar nga prokuroria u pranua nga gjykata pas administrimit të provave të siguruara nga hetimi paraprak. Nga burime të gazetës u mësua se grupi i hetimit kishte administruar dëshminë e babait të Andi Priftit, Ligorit, i cili kishte deklaruar se kishin qenë dy persona, të cilët i kishin thënë se djalin e ia kishte vrarë Gentjan Shahinaj. Gjithashtu, nga një përgjim ambiental mësohet të jetë siguruar një bashkëbisedim mes babait të Gentjanit dhe nënës së tij, ku Pëllumb Shahinaj i kishte tërhequr vërejtje bashkëshortes për dhënien e një bluze të djalit, pasi kishte pasur frikë mos aty kishte ndonjë njollë gjaku. Ndonëse dy versionet e organeve të hetimit nuk përkojnë totalisht me njëra-tjetrën lidhur me deklarimet e të arrestuarit Andrea Rrapaj ndaj Shahinajt, mësohet se nuk është caktuar ende cili do të jetë fati i tij, nëse do të lirohet apo do të qëndrojë ende në qeli.


Masa


Ndërsa prokuroria është duke vlerësuar pozicionin e Shahinajt, Gjykata e Fierit ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 18-vjeçarit Andrea Rrapaj dhe 25-vjeçarit Erald Elmazi. Rreth orës 14:00, nën masa të rrepta sigurie janë shoqëruar për në gjykatë dy të ndaluarit Erald Elmazi dhe Andrea Rrapaj. Policia ka rrethuar oborrin e gjykatës duke mbyllur portën e jashtme me qëllim moslejimin e asnjë personi që të hynte brenda. Madje, është ndaluar edhe media që të hyjë në oborrin e gjykatës. Fillimisht është shoqëruar para gjyqtarit Gentjan Hamitaj 18-vjeçari Andrea Rrapaj. Prokurori i çështjes, Çlirim Sino, i ka paraqitur gjykatës provat e siguruara nga hetimi dyjavor. Kështu, është paraqitur prova bazë, celulari tip “Nokia” ngjyrë e zezë, që ka çuar në ndalimin e 18-vjeçarit Rrapaj. Prokuroria ka sqaruar faktin se në celularin e viktimës është vendosur për disa ditë karta SIM që dispononte 18-vjeçari Rrapaj.


18-vjeçari


Ndërkohë, ky i fundit mësohet të ketë pranuar edhe para gjykatës bashkëpunimin në vjedhjen me pasojë vdekjeje të 21-vjeçarit Andi Prifti dhe ka rrëfyer para gjykatës versionin e tij për ngjarjen. Ai ka sqaruar se e kishin ftuar Andin që të shkonin në Seman për të bërë qitje me qëllim që të argëtoheshin dhe se viktima e kishte parkuar motorin e tij në lagjen “Kastrioti”. Më pas ai ka shtuar se me një autoveturë që e drejtonte 25-vjeçari Erald Elmazi kanë shkuar në vendin e quajtur “Kulla e Ujit”. Sipas Rrapajt, Eraldi i ka kërkuar Andit që të hapë bagazhin dhe ta mbajë pasi nuk qëndronte vetë hapur. Më tej, 18-vjeçari ka deklaruar në dëshminë e tij se Eraldi e ka qëlluar në këtë kohë në shpinë me thikë disa herë dhe se Andi Prifti kishte rendur me vrap, por është qëlluar sërish dhe është rrëzuar në tokë. Më pas ka pohuar se i kanë marrë viktimës celularin dhe portofolin dhe e kanë hedhur trupin në kanal, duke e mbuluar me xhupin e tij. Dëshmitari ka pohuar se kur kanë mbërritur te motori janë ndihmuar nga dy persona të tjerë për ta vendosur në makinë dhe se 25-vjeçari Elmazi i ka dhënë 30 mijë lekë të reja dhe celularin e viktimës. Pasi gjykata ka vlerësuar provat e servirura nga organi i akuzës ka vendosur të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 18-vjeçarit Andrea Rrapaj.


I dyshuari


Pas Andreas është shoqëruar për në sallën e gjyqit edhe i ndaluari tjetër, Erald Elmazi. Ky i fundit ka mohuar implikimin e tij në vrasje dhe ka deklaruar se ka qenë në punë në berberhanen e tij gjatë gjithë ditës kur ndodhi ngjarja dhe në mbrëmje është kthyer në shtëpi rreth orës 20:00. Të njëjtin argument mësohet të ketë dhënë edhe avokati i tij mbrojtës e prindërit. Prokurori i çështjes ka kërkuar vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të Erald Elmazit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat. Ndërsa avokati i 25-vjeçarit Elmazi ka kërkuar vlerësimin e paligjshëm të ndalimit dhe caktimin e një mase më të lehtë sigurie. Por, pasi gjyqtari Gentjan Hamitaj ka vlerësuar argumentet e të dyja palëve ka vendosur ta lërë në burg të ndaluarin Erald Elmazi. Pritet që në ditët në vazhdim policia dhe prokuroria të sigurojnë prova të reja për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Andi Prifti dyshohet të jetë vrarë në orët e para të 20 janarit, me qëllim vjedhjen e rreth 70 mijë lekëve të reja që ai kishte fituar në lojëra fati një ditë më parë. Red. Akt.


 


 


Reagimi


Prindërit: Eraldi është i pafajshëm


Ndërsa 18-vjeçari Andrea Rrapaj ka qenë duke ecur në korridorin e gjykatës, nëna e të ndaluarit tjetër Erald Elmazi mësohet të jetë irrituar për shkak të dëshmisë që ai ka dhënë ku implikon edhe djalin e saj. “Ah ti, ti….!”, mësohet t’i jetë drejtuar ajo 18-vjeçarit ndërsa lotët nuk i mbante dot për shkak të dëshpërimit nga arrestimi i djalit të saj 25-vjeçar. Pasi ka përfunduar seanca e caktimit të masës së sigurisë ka folur për mediat edhe babai i 25-vjeçarit, Erald Elmazi, Bilal Elmazi, i cili e ka quajtur të padrejtë ndalimin e djalit të tij. “Djali im është i pafajshëm. Unë e njoh tim bir, ai është i respektuar nga të gjithë. Gjithë atë ditë kur thuhet se ka ndodhur vrasja, ai ka qenë duke punuar në berberhane, ashtu si përditë. Është kthyer në shtëpi në orën 20:00 dhe nuk ka dalë më. Edhe ditën tjetër po ashtu ka qenë në punë dhe në shtëpi është kthyer si përnatë, rreth orës 20:00. Unë e di çfarë djali kam. Nëse ai do e kishte bërë një gjë të tillë le të dënohej, por unë e di që ai nuk është i implikuar”, ka deklaruar babai i Eraldit, Bilal Elmazi për mediat. Ai e ka cilësuar arrestimin të paligjshëm duke akuzuar strukturat e shtetit si jo të rregullta. Edhe nëna e Eraldit ka pohuar se djali i saj është i pafajshëm dhe se po mbahet padrejtësisht në burg.