Ish-ministri i shëndetësië Ilir Beqaj ka reaguar nga qelia e tij përmes një postimi ku ka shprehur qartë çfarë nuk ka folur deri tani. Ai shprehet mjaft i revoltuar dhe i fyer nga pritja që iu bë kur shkoi pranë Kuvendit për të dëshmuar ditën e djeshme.

Ai ka shprehur në postim që ka duruar çdo fjalë të mundshme deri tani pavarsisht se nuk ka kërcënuar as mosrespektuar askënd. Në fund ish-ministri e ka mbyllur duke thënë se nuk do të lejojë askënd ta fyejë ose ta nëpërkëmbë edhe pse është një i parabugosur. Beqaj shprehu se është përballur me akuzat gjatë mbledhjeve të dy ditëve edhe pse në një rast u refuzua të jepte dëshminë e tij, pasi PD e kundërshtoi kërkesën e tij.

Reagimi i plotë i Ilir Beqajt nga qelia:

“Prej marsit 2024, kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtarë jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në Komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10 dhe deri në oren 19.30 jam penguar të jap dëshminë. Është penguar të flasë edhe avokati im.

Ditën e mërkurë jam paraqitur në oren 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e ketyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti.

Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, pasi sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.

Sipas Kodit të Procedurës Penale edhe për një të paraburgosur në rast marrjeje në pyetje apo procesi gjyqesor, qëndrimi nuk varet nga orari i lejes, por kohëzgjatja e seancës përkatëse. Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcenuar apo fyer askënd.

I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj. Në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi. Dështimin politik deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim”.