Behgjet Pacolli ka njoftuar tërheqjen e tij nga projekti i Aeroporti i Vlorës, pas përplasjeve me kompaninë 2A Group.
Përmes një reagimi publik, Pacolli deklaroi se aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e tij financiare, duke theksuar se investimi dhe garancitë e angazhuara kapin vlerën e mbi 310 milionë eurove.
Ai bëri me dije se vetëm kompania MABCO ka dhënë mbi 35 milionë euro përmes garancive për punëkryesin Valon Ademi.
Në reagimin e tij, Pacolli u shpreh se nuk dëshiron të përballet me shtetin, duke shtuar se mënyra se si po përdoret fuqia shtetërore është, sipas tij, “joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”.
“Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë”, shkroi ai, duke shtuar se koha do të tregojë se çfarë ka ndodhur realisht në këtë proces.
