Topalli – Kreu i Kuvendit propozoi një anëtar të Gjykatës Kushtetuese për kryeprokuror, alternativë që fillimisht u përkrah nga Berisha


Përplasjet – Grupime të forta brenda mazhorancës kundërshtuan kandidaturën e mbështetur nga Topalli, si në zgjedhjen e Presidentit të ri


Berisha – Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur pozicion neutral dhe ka llogaritur lëvizjet në grupin parlamentar të PD-së dhe aleatët


ILDKP – Në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pritet të emërohet një propozim i kreut të Kuvendit


Propozimi i Topallit ka gjetur kundërshtimin


Zhvillimet


Topalli propozoi një anëtar të Gjykatës Kushtetuese


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk e ka votuar Adriatik Llalën si kryeprokuror i Republikës, pasi ajo priste që Presidenti i Republikës të dekretonte një anëtar të Gjykatës Kushtetuese në këtë detyrë. Burime pranë mazhorancës, bëjnë të ditur se burimi i përplasjes më të fundit ndërmjet kreut të Kuvendit dhe lidershipit tjetër të mazhorancës ka qenë pikërisht moszbatimi i “paktit” që mësohet se ishte rënë dakord mes krerëve të shtetit shqiptar, por edhe drejtuesve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Mësohet se Kryeministri Sali Berisha, në fillim ka qenë dakord me propozimin e zonjës Topalli, madje ka marrë përsipër të lobojë fort për emërimin e njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por siç mësohet, ndryshimi ka ardhur pas një kundërshtimi brenda radhëve të grupeve të rëndësishme brenda Partisë Demokratike, por edhe në radhët e aleatëve të PD-së, në këtë rast, Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkaq, edhe qarqet ndërkombëtare kanë mirëpritur më shumë zotin Lalla se kandidatin e propozuar nga Topalli dhe të mbështetur fillimisht edhe nga Kryeministri Berisha. Në këtë përplasje, kreu i Partisë Demokratike, mësohet se ka qenë “neutral” dhe ka shprehur disponibilitetin e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Por grupe të fuqishme brenda PD-së kanë bërë të ditur se nuk e përkrahnin idenë e kryeparlamentares, duke e argumentuar me kundërshtimin nga ana e opozitës, por që realisht përbënte të njëjtën arsye siç ndodhi me Presidentin, nuk donin të forconin pozitën e kreut të Kuvendit. Kandidatin e Topallit, në fillim e ka takuar edhe Berisha, që mësohet se ka qenë disponibël për mbështetjen e tij. Janë zhvilluar takimet e para dhe duket se gjithçka po shkonte vaj. Por më pas kanë ndodhur disa lëvizje që e kanë vështirësuar alternativën e mbështetur nga kryeparlamentarja. Qarqe ndërkombëtare kanë favorizuar propozimin e një emri që nuk do të kundërshtohet nga PS-ja, ndërkohë që publikisht zyrtarë të rëndësishëm si drejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin, Jonathan Moore, në një intervistë për “VOA” theksoi se duhet të zgjidhet një kandidaturë jo politike. Më pas ndodhen edhe zhvillime të tjera, që sollën një “rrugë në ngjitje” për alternativën e Topallit. Lëvizja Socialiste heshti gjatë për qëndrimin e saj ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, por mësohet se deputetë të opozitës do të votonin pro Adriatik Llallës, i cili ishte kandidati që mbështeste një grupim i fuqishëm brenda mazhorancës. Duke parë se ngjarjet mund të shkaktonin komplikacione në Parlament, atëherë Berisha dhe Nishani vendosën të mbështesnin alternativën e zotit Lalla, i cili sapo u dekretua solli një reagim zinxhir të tre deputetëve të opozitës, përkatësisht: Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Vangjel Dules që votuan pro. Ndërkaq, edhe LSI nuk shfaqi kundërshtimin e saj, por as u shpreh publikisht për qëndrimin politik. Votat e katër deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, megjithatë u dhanë në favor të kandidatit të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Por Topalli, në seancën e 7 dhjetorit demonstroi hapur protestën e saj duke mos marrë pjesë në votimin për dekretin mbi kryeprokurorin, madje duke e bërë të ditur këtë nëpërmjet mediave. Kjo situatë ka shkaktuar një “plagë” të re brenda PD-së dhe e dëmtuara radhazi mbetet zonja Topalli, e cila përfaqëson një lob gjithsesi të rëndësishëm në selinë blu. Nga burime brenda mazhorancës mësohet se kjo situatë po menaxhohet me negociata të brendshme, që mund të kenë reperkusionin tek emërimi i personave të përkrahur nga Topalli në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por edhe në vendet vakante që priten të rinovohen në Gjykatën Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.