Teksa jashtë Parlamentit vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe policisë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare të kësaj të enjteje. Demokratët akuzojnë mazhorancën se po bllokon nismat e opozitës, ndërsa pretendojnë se Kuvendi është rrethuar nga qindra efektivë policie “për të shuar zërin e qytetarëve” që protestojnë jashtë godinës.

Në një deklaratë zyrtare, PD shprehet se mazhoranca ka refuzuar kërkesën për debat parlamentar me Kryeministrin Edi Rama mbi kërkesat e qytetarëve që protestojnë prej më shumë se një muaji, si dhe mbi rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian. Demokratët akuzojnë gjithashtu shumicën se ka përjashtuar nga kalendari i punimeve katër projektligje të depozituara prej tyre rreth një muaj më parë. Bëhet fjalë për nismat që synojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjit për investimet strategjike, Paketës së Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Sipas PD-së, këto projektligje lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve dhe shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian, ndaj duhet të ishin përfshirë në rendin e ditës.

“Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme“, thuhet në deklaratë.

Në reagimin e saj, Partia Demokratike shprehet edhe se godina e Kuvendit është rrethuar nga forca të shumta policie, duke pretenduar se kjo bëhet për të penguar protestën e qytetarëve.