Endri Shabani ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me konfliktin e lindur brenda koalicionit “Nisma- Shqipëria Bëhet” për një mandat të fituar në zgjedhjet e 11 majit.

Shabani ndalet tek premtimi i Adritaik Lapajt se nuk do hynte në Kuvend nëse fitonin vetëm një mandat, të cilin sipas tij, “Shqipëria Bëhet” nuk e konsideron si pjesë të marrëveshjes për koalicion. Në këtë rrjedhë, Shabani shton se as dorëheqja e Kordhonit nuk ishte pjesë e marrëveshjes.

Më tej, ai ka publikuar dhe pikat e marrëveshjes së lidhur para zgjedhjeve për krijimin e koalicionit mes “Nismës Thurja” dhe “Shqipëria Bëhet”.

“SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut? Apo funksionon parimi: ‘bëj si të them unë, jo si bëj unë’?

Për ata që janë të interesuar, më poshtë gjeni marrëveshjen e nënshkruar. Aty nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër. Por është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur.

Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë – si ajo e Adriatikut. Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa! Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?”, ka shkruar Shabani.