Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar një njoftim të përditësuar lidhur me situatën e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, duke theksuar se, në vijim të përshkallëzimit ushtarak, gjendja mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.

Në reagimin zyrtar, Ministria këshillon fuqimisht të gjithë shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë, për shkak të rreziqeve të shtuara dhe zhvillimeve të shpejta në terren.

Ndërkohë, për qytetarët e Republikës së Shqipërisë që ndodhen aktualisht në rajon, autoritetet shqiptare japin një sërë rekomandimesh të rëndësishme:

Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale;

Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;

Të respektojnë dhe zbatojnë në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;

Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;

Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.

Ministria paralajmëron gjithashtu se, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale. Si pasojë, fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim.

Për çdo çështje që lidhet me udhëtimet ajrore, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse për informacion të përditësuar mbi statusin e fluturimeve.

Autoritetet shqiptare bëjnë të ditur se janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri që mund të ndikojë në sigurinë e shtetasve shqiptarë.