Punonjësit e minierës së bakrit në Spaç e përshkallëzuan protestën të hënën, duke bllokuar hyrjen e kompanisë koncesionare turke “Tete Albania” dhe duke bojkotuar punën për të pestën ditë radhazi. Rreth 70 minatorë u grumbulluan në orët e para të mëngjesit në rrugë dhe më pas u përplasën me policinë, e cila shoqëroi dy nga minatorët protestues.

Minatorët kërkojnë njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte paga të drejta dhe kushte të sigurta pune. Simoni tha se ata kërkonin drejtësi në vendin e punës.

“Më kanë zhgënjyer me rrogën dhe me kushtet. Brenda ligjit dhe kushtetutës, ne duam kushte për punë. Unë punoj nëntokë prej shumë vitesh dhe nuk mund të rrezikoj jetën për 20–30 mijë lek të vjetra në ditë. Kemi krijuar sindikatën që prej muajit gusht dhe këta nuk na njohin dhe nuk pranojnë fare të ulen në bisedime”, tha Përparim Simoni, minator protestues.

Minatorët thonë se ata nuk do të tërhiqen nga kërkesat që i janë bërë kompanisë.

“Pagat janë të ulëta, është turp me e ndi kush. Nuk ka shans të tërhiqemi deri në plotësimin e të drejtave tona, të cilat i kemi paraqitur me shkrim”, u shpreh minatori Fran Nikolli, duke paralajmëruar vijim të protestave.

Në mbështetje të punëtorëve doli Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Kryetari Kol Nikollaj e quajti sjelljen e kompanisë “tallje” me punonjësit, duke theksuar se e drejta për organizim kolektiv dhe grevë është e mbrojtur nga ligji dhe konventat ndërkombëtare.

“Minatorë, forca juaj është bashkimi. Ju jeni bijtë e tokës, ata që nxirrni pasuritë nga nëntoka, por që shpesh trajtoheni padrejtësisht në dritën e diellit. Sot nuk po flisni vetëm për veten tuaj, por për çdo punëtor të këtij vendi,” tha Nikollaj.

Nga ana tjetër, kompania “Tete Albania”, përmes Drejtorit të Përgjithshëm Cem Koray Vagci, deklaroi se nuk është kundër dialogut, por nuk e njeh si përfaqësues Kol Nikollajn dhe se sindikata me të cilën minatorët po aderojnë “nuk plotëson kriteret ligjore”.

“Ne jemi të hapur për bisedime me minatorët dhe këtë ua kemi bërë të ditur, por sindikata me të cilën ata po aderojnë nuk plotëson kriteret ligjore. I kemi kërkuar të plotësojë dokumentet, por nuk i kanë sjellë dhe në këto kushte nuk mund të bëjmë bisedime. Pezullimi i punës që prej datës 8 tetor po na sjell dëm ekonomik dhe do të ndjekim hapat ligjorë për këtë çështje. Nuk është aspak e vërtetë që pagat dhe kushtet e punës janë ashtu siç ata pretendojnë”, tha në një bisedë në zyrën e tij drejtori i përgjithshëm Cem Koray Vagci.

Në mesditë policia ndërhyri kundër protestuesve, duke kërkuar të lirohej rruga e bllokuar, çka solli tensione dhe konfrontime mes palëve. Dy minatorë u shoqëruan në komisariat.

Minatorët thanë se do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat të merren në konsideratë dhe të nisin bisedimet formale për kontratën kolektive. Kompania, ndërkohë, këmbëngul në respektimin e procedurave ligjore për njohjen e sindikatës përpara çdo negociate./BIRN