Teksa prej katër ditësh janë pa ujë të pijshëm, qytetarët e Vlorës kanë dalë në protestë edhe këtë të hënë. Rreth orës 11:00 ata kanë bllokuar një nga akset rrugore të qytetit, pasi më parë dështoi tentativa e tyre për t’u futur në ambientet e bashkisë, ku u ndaluan nga forcat e rendit.
Qytetarët e Vlorës janë zhvendosur në rrugën kryesore dhe në sheshin përpara bashkisë ku shihet një numër i konsiderueshëm prej tyre. Ata kanë hedhur letra higjienike dhe vezë ndaj godinës, ndërsa me bidonë në duar kërkojnë prezencën e kryetares së bashkisë, Brunilda Mersini.

Ka qenë një defekt i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra, çka ka bërë që Vlora të mbetet pa ujë, ndërsa specialistët nuk kanë mundur ta riparojnë për shkak të vështirësisë, pasi kjo është një linjë e veçantë.




