Situata nga zjarri në Njësinë Administrative Shushicë vijon të jetë shqetësuese, ndërsa kushtet atmosferike po vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. Era e fortë po përhap me shpejtësi flakët, të cilat po avancojnë në drejtim të fshatrave Bunavi dhe Grabian.
Të dhënat paraprake tregojnë se zjarri është afruar pranë zonave të banuara, duke rrezikuar disa banesa, ndërsa dëme janë shkaktuar edhe në blegtori dhe sipërfaqe të mbjella.
Shefi i repartit të ndërhyrjes kundër zjarrit në Zjarrfikësen e Vlorës, Luan Kapaj, tha se terreni dhe bimësia e dendur, të kombinuara me barin e tharë dhe erën e fortë, po favorizojnë përhapjen e flakëve në disa drejtime.
Sipas tij, ekipet zjarrfikëse janë përqendruar kryesisht në krijimin e një perimetri sigurie për të penguar zjarrin që të arrijë te banesat.
“Në këtë territor këtu të këtij fshati është shumë problematike sepse, siç e shikoni vetë, bimësia e dendur e bari i thatë, era janë faktorë që ndikon masivisht në përhapjen e zjarrit. Këtu janë disa banesa që rrezikohen nga zjarri. Por me ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës, ne bëjmë të mundur që të mbrojmë këto banesa”, deklaroi Kapaj.
Flakët ndërkohë kanë përshkuar zona ku ndodhen ullinj dhe bagëti, duke lënë pas dëme të konsiderueshme. Kapaj theksoi se prioriteti në këto momente mbetet mbrojtja e banorëve dhe e shtëpive që ndodhen pranë frontit të zjarrit.
“Rreziku për momentin është evident, por që ne do mundohemi që mos të na digjen banesat për momentin. Sepse ka banorë, ka blegtori, ka çdo gjë… Siç e shikoni vetë, era është shumë e fortë dhe po bën të mundur përhapjen e zjarrit në të gjitha drejtimet”, u shpreh ai.
Forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa era mbetet një nga faktorët kryesorë që po pengon vënien nën kontroll të vatrës.
