Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Bëhet fjalë për Ornado Çetën, alias Ceta, banues në Tiranë, ndaj të cilit Gjykata e Apelit të Triestes ka dhënë një dënim prej 21 vitesh, 9 muajsh e 20 ditësh burgim.
Sipas Policisë së Shtetit, 40-vjeçari është dënuar për një sërë veprash penale, mes tyre vjedhje të rënda, mashtrim, trafikim të lëndëve narkotike, posedim të pasurisë me origjinë kriminale, plagosje, kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Nga dënimi total i dhënë në Itali, Çetës i kanë mbetur për të vuajtur edhe 20 vite, 6 muaj e 14 ditë burgim.
Pas arrestimit, Interpol Tirana ka nisur bashkëpunimin me Interpol Romën për përfundimin e procedurave ligjore, që do t’i hapin rrugë ekstradimit të 40-vjeçarit drejt Italisë.
