Deputeti i PS Erion Braçe kishte kërkuar sot interpelancë me ministrin e Bujqësisë, pasi kishte parashtruar disa nga shqetësimet e tij në lidhje me kafshët e rrugës dhe groposjen dhe djegien e tyre pas ngordhjes.

Teksa ka dalë në foltore Braçe u shpreh se është mungesë respekti ndaj Kuvendit që ministri i Bujqësisë me të cilin kishte kërkuar interpelancë, nuk ndodhej në sallë dhe se këtë ‘përballje’ ia kishte deleguar ministrit për pushtetin Vendor, Ervin Demo.

“Kjo nuk më bën të harroj se përgjegjëse e drejtpërdrejtë është ministria e Bujqësisë, agjencia kombëtare e veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve, ministri i Bujqësisë, mungesa e të cilit është mungesë e thellë respekti ndaj Kuvendit, mungesë respekti që nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar jo thjeshtë për të mos bërë punën. Në këto kushte unë do ta bëj interpelancën se dua të bëj punën time, por jo pa thënë sa më poshtë:

E para, nuk mund të përcaktojë një kryetar grupi se më kë unë duhet të bëj interpelancë, e dyta nuk mund të përcaktojë një ministër nëse do e bëjë ai apo një ministër tjetër interpelancën time me të, së treti nuk mund të përcaktojë zyra e përgatitjes plenare se me kë do ta bëj unë interpelancën. Të gjithë këta duhet të lexojnë se krijesë e kujt është filani apo fisteku. Meqë këta se kanë bërë, po e lexoj unë ligjin për të thyer rregullin e përtacisë mendore që ndodh këto kohë. Për këtë arsye kisha thirrur në këtë interpelancë ministrin e bujqësisë…”, tha Braçe.