Është përuruar ditën e sotme monumenti kushtuar patriotit Hasan Prishtina. Me këtë rast ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të demokratit Hasan Prishtna për ta bërë Shqipërinë shtet të pavarur të Europës.
Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vlerësoi rolin e patriotit Hasan Prishtinës për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
“Sot në 100 vjetorin kam nderin të përuroj shtatoren e atdhetarit, ideologut dhe organizatorit të kryengritjeve për liri dhe pavarësinë e vendit, këtij burrë shteti, ministri e kryeministri, që e donte përparimin e popullit, që e dha pasurinë për shkollën shqipe, që jetoi në veprimtari për ta bërë vendin shtet dhe popull të lirë të Europës”, – tha Jahjaga.
Ndërkohë, kryeministri Berisha theksoi se vepra e Hasan Prishtinës është e pashlyer në historinë e vendit, pasi ai mbetet arkitekti i Shqipërisë etnike, i pavarësisë së Shqipërisë, që shkriu jetën e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë dhe për dinjitetin e shqiptarëve.
Monumenti i patriotit Hasan Prishtina është vendosur në lulishten tek Muzeu Historik Kombëtar.
23 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)