rama divjakeKryeministri i vendit, Edi Rama ishte ditën e sotme në qytetin e Divjakës ku u përurua një poliklinikë  e ‘standardeve evropiane, me pajisje bashkëkohore dhe shërbim 24 orë’.


Përmes një njoftimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, Rama shprehet se ‘ulja drastike e tarifave nëpër spitale dhe edhe më shumë investime në infrastrukturë, siç është edhe poliklinika e re e Divjakës, janë vetëm disa nga arritjet që po transformojnë dita ditës edhe sistemin shëndetësor’.


“Sot në Divjakë dhe Lushnje për ecurinë e ndryshimeve në rrugën e rilindjes së shëndetësisë. Shëndetësia është ndoshta dhe pjesa më e vështirë e gjithë kantierit te madh të reformave të ndryshimit në vend, por padyshim që po hidhet një bazë e rëndësishme.


Në Divjakë sot çeli dyert një poliklinikë e standardeve europiane me pajisje bashkëkohore dhe shërbim të plotë 24 orë; ku përveç shërbimeve tradicionale të mjekut të familjes dhe shërbimit të kontrollit bazë shëndetësor, përfshihen edhe shërbimet e specializuara të kardiologjisë, okulistikës, otorino-laringologjisë, pediatrisë, imazherisë etj.


Ndërkohë nga nisja e Check Up-it Falas, në Lushnje dhe Divjakë janë kryer rreth 21 000 vizita të kontrollit mjekësor bazë në 17 kabinete të instaluara. Pas uljes së çmimit të ilaçeve që u kursen 70 milionë dollarë në vit familjeve shqiptare, me check-up falas kursehen edhe 12.5 milionë dollarë të tjerë çdo vit përveçse shpëtohen jetë të paçmueshme njerëzish.


Po ashtu, mjeku i familjes falas e ka lehtësuar shumë edhe procesin e ndërveprimit me spitalet. Ulja drastike e tarifave nëpër spitale dhe edhe më shumë investime në infrastrukturë, siç është edhe poliklinika e re e Divjakës, janë vetëm disa nga arritjet që po transformojnë dita ditës edhe sistemin shëndetësor. Me vështirësi, jo pa të meta, por në drejtimin e duhur”, shkruan Rama në FB.


26 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)