Nga sot segmenti nga rruga “Faik Konica” deri pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë do mbajë emrin “Rruga e Atjonit”, në kujtim të djalit të shkrimtarit të njohur, Visar Zhiti, i cili humbi jetën tragjikisht dy vite më parë, në moshën 19 vjeçare në një aksident rrugor. Pllakati me emrin e Atjon Zhitit u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarë e miq të Atjonit, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar gjatë ditës së sotme, ku merrnin pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, si dhe Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ditë të tilla bëjnë të mundur që çdokush të kuptojë se çfarë e bën qytetar dhe çfarë e dallon nga të qenit thjesht banor i një qyteti me një milion banorë. Më tej, ai shtoi se për Atjonin nuk kishin rëndësi vitet që ai kishte, por jeta që kishte bërë, duke theksuar se ajo do ishte pa vlerë dhe e shkuar kot nëse çdo çast nuk do të trajtohej si diçka që vlen.
Ndërkohë, shkrimtari Visar Zhiti falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë nismë, duke theksuar se tashmë kjo rrugë do jetë rruga e të rinjve që Atjoni përfaqësonte. “Ju jemi shumë mirënjohës për këtë gjetje të mrekullueshme. Rrugës ku kalonte një 19 vjeçar, i cili ëndërronte me shokët e tij një lagje, një Tiranë e një Shqipëri më të bukur, me propozim të kryetarit i vihet emri i tij. Mirënjohës banorëve të lagjes sonë që e mirëpritën këtë emër, kryetarit që gjeti këtë emër! Kryetarit, bashkisë e bashkëpunëtorëve tuaj, i uroj suksese, sa më shumë rrugë të bukura, me ëndrra rinore, parqe që janë më të rëndësishme se parlamenti dhe se uzinat për fëmijët”, u shpreh Visar Zhiti.
5 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)