Në prag të një vjetorit të ndarjes nga jeta, Artan Lame u përkujtua në një aktivitet që bëri bashkë familjarë, miq dhe kolegë të publicistit, studiuesit dhe koleksionistit.

“Një vjetori i ikjes së Artanit vjen ëpr dy ditë, por data 21 ishte dita e fundit kur ai foli me botën, e thënë kjo për të krijiuar një perspektivë në dy ditët që neve na ndoqën. Tani që tragjedia ka mbaruar, nuk dua të ndjeni më keqardhje, dua që ta kujtoni Tanin për atë çfarë ishte më parë. Ka kaluar një vit por, ka kaq shumë për të folur për të, ishte një person që jetonte gjithmonë me diçka për të bërë”, u shpreh vajza e Artan Lames, Lisia.

Mikja e tij tregoi për publikun videon e fundit të Lames, xhiruar në muzeun që donte të përfundonte dhe koleksionin e tij të gjerë, një video testament për një amanet që ende nuk është përmushur plotësisht.

“Atë ditë çuditërisht më la ta filmoja dhe ai filloi të tregonte të gjithë historinë e muzeut. Jam falenderuese instiktit që e bëra atë video dhe për dëshminë që ai na la për mënyrën si donte të ishte muzeu, që e ëndërroi shumë”, tha gazetarja Anila Basha.

Në këtë pervjetor, u botua vepra “Shqipni e harrume, një aventurë shqiptare përmes fotografive”, një përmbledhje e botimeve në publicistikë të Lames.

“Lame na shoqëron në disa nga faqet më sublime të historisë së vendit. Ai krijon një kronikë me personazhe që duken të largët, por që u japin thellësi ngjarjeve aktuale. Është një reflektim kritik mbi mënyrën si ndërtohen historitë kombëtare dhe sa e brishtë është e vërteta ideologjike kur ajo ndërkallet me ideologji dhe pushtet”, u shpreh arkitekti dhe studiuesi Artan Shkreli.

Koleksionisti Bajram Peçi tha: “Botimi dhe qenia e tyre në trashëgiminë e letrave kombëtare, në publicistikë, ese dhe gazetari, janë vlera që mbeten për brezat e ardhshëm”.

Botimi i Lamës na paraqet Shqipërinë që ai e kërkonte në arkiva, në fotografi, në kërkime të shumta që bënte falë pasionit të tij si koleksionist, në kujtimet dhe në rrëfimet e njerëzve./TCH