Prej pesë ditësh, 10 anëtarë të Këshillit Sindikal në Marinzë vijojnë grevën e urisë në zyrat e Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike dhe sociale. Sot, gjendja shëndetësore e tre prej grevistëve është përkeqësuar ndjeshëm.

Ata janë ndihmuar nga mjekët që mbërritën me ambulancë për të monitoruar situatën. Temperaturë, lodhje, marramendje dhe dhimbje koke janë disa nga simptomat që kanë shfaqur grevistët, ndërsa tre prej tyre kanë marrë injeksione.

Megjithë gjendjen e rënduar fizike, grevistët janë të vendosur të mos tërhiqen, ndërsa mbështeten nga punonjësit e fushës naftëmbajtëse, të cilët vijojnë bojkotin e punës në shenjë solidariteti.