Hetimet për vrasjen e 25-vjeçarit Kevin Muharremi vijojnë pa ndërprerje, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të Ditës së Shën Valentinit në Montecalvoli.
Sipas mediave vendase, i riu, i cili jetonte në Fucecchio dhe punonte në një lavazh makinash, u qëllua për vdekje pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur më herët brenda një lokali nate dhe më pas u përshkallëzua në përplasje me armë zjarri.
Si i dyshuar për krimin është arrestuar një 20-vjeçar shqiptar, Renato Xyke. Ai është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka pranuar se ka qëlluar, ndërsa pritet të merret sërish në pyetje pasi në dosje janë shtuar prova dhe dëshmi të reja. Nga verifikimet paraprake rezulton se gjatë ngjarjes janë shkrepur pesë plumba me një pistoletë gjysmë-automatike Beretta 7.65, e cila figuron e vjedhur në vitin 2024 në zonën Empolese Valdelsa nga një banesë ku mbahej me leje. Ende mbetet e paqartë se si arma ka përfunduar në duart e të riut.
Autopsia ka konfirmuar se një nga plumbat e ka goditur viktimën në zonën e qafës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse mes viktimës dhe autorit ka pasur përplasje apo tensione të mëparshme përpara natës së krimit.
Sipas informacioneve të deritanishme, 20-vjeçari nuk ka qenë i vetëm në momentin e ngjarjes. Ai po udhëtonte me një automjet tip “Range Rover Evoque”, i shoqëruar nga tre persona të tjerë. Një 18-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë për bashkëpunim në vrasje, megjithëse ka mohuar çdo rol dhe ka deklaruar se nuk kishte dijeni për praninë e armës. Dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë nuk rezultojnë nën hetim.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe shqetësim në komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivin dhe gjithë dinamikën e kësaj vrasjeje.
