Prokuroria


Akuzohen për dhunë të pajustifikuar ndaj disa personave në Tiranë


Më 18 shkurt të këtij viti, pesë policët dyshohen se kanë dhunuar pronarët dhe klientët e një lokali në kryeqytet


Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzë pesë punonjës policie, të cilët akuzohen për veprime arbitrare në bashkëpunim. Ferit Saliasi, Artur Çelaj, Nuredin Kasma, Adriatik Bregu dhe Argert Terpo dyshohet se kanë dhunuar pronarët dhe klientët e një lokali në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur më datë 18 shkurt 2012 rreth orës 03:00 të mëngjesit te lokal “Makuba”. Patrulla e policisë pretendon se ka marrë njoftim nga salla operative, se në këtë lokal ka prishje qetësie. Policia ka shkuar te ky lokal dhe ka kontaktuar me shtetasit Grand Frroku dhe Mark Froku, të cilëve u kanë kërkuar se pse kishte zhurmë. Ky i fundit ka komunikuar me ta dhe i ka thënë se në atë lokal nuk kishte ndodhur asgjë dhe se nuk kishte kërkuar njeri ndihmë. Patrulla ka këmbëngulur që të futet në lokal, por Grand Frroku i ka thënë nëse keni ndonjë mandat kontrolli për këtë fakt. Më pas, janë afruar edhe disa persona të tjerë, dhe ka filluar grindja. Me mbërritjen e një furgoni policie, ka filluar përdorimi i forcës, duke i marrë dhe futur më pas me forcë në furgonin e policisë shtetasit Mark Frroku, Grand Frroku, Ilir Lasku dhe Lek Toma. Sipas dosjes së prokurorisë, punonjësi Ferit Saliasi, i cili ka ushtruar dhunë ndaj personave që po shoqëroheshin, ka qenë personi direkt i cili ka urdhëruar shoqërimin për në komisariat të shtetasve të mësipërm dhe ka ushtruar dhunë. Prokuroria thotë se ka marrë dëshminë e specialistëve të patrullës, të cilët pretendojnë se kanë marrë njoftim nga salla operative e Policisë së Tiranës se kishte zhurma te lokali në fjalë. Janë marrë në pyetje punonjësit e sallës operative, të cilët mohojnë të kenë lajmëruar patrullën për të shkuar te lokali në fjalë. “Komunikimi është bërë pas ngjarjes dhe jo para saj”, pohon prokuroria. Janë bërë aktet mjekoligjore, ndërsa fotografitë që kanë shkuar në prokurori nga Avokati i Popullit rezulton se dallohen qartë shenjat e një dhune të pajustifikuar nga ana e policisë. Këto dëmtime janë në pjesë të ndryshme, si në kokë e në trup. Mjekoligjorët kanë nxjerrë konkluzionin se punonjësit e policisë kanë pasur dëmtime vetëm te duart dhe grushtet. Mësohet se tetë personat janë dhunuar nga policia sipas akteve të mjekoligjorëve, ndërsa dëshmitarët pohojnë se policia ka goditur edhe një femër. Të dhunuarit kanë shpjeguar se policia, para se t’i shoqëronte, i shtriu në tokë disa persona, madje duke i qëlluar. Dosja ndaj pesë punonjësve të policisë ka shkuar në gjykatë, në pritje të nisjes së hetimeve. S. Çobo