Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punimet këtë të enjte, ndërsa opozita ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Parlamentit, Niko Peleshi, për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Kërkesa është paraqitur nga deputeti demokrat, Ivi Kaso, i cili listoi disa raste ku, sipas tij, Peleshi ka cenuar funksionimin e institucioneve dhe ka shkelur rregullat e parlamentit.

Në fjalën e tij, Kaso theksoi se kryetari i Kuvendit ka tentuar të mbyllë zërin e opozitës në mënyrë të përsëritur dhe të qëllimshme, duke e penguar debatet dhe duke cënuar lirinë e shprehjes brenda sallës. Duke i drejtuar akuza direkte Peleshit, deputeti demokrat i kërkoi atij që të largohet nga salla para se të nisë votimi dhe të japë dorëheqjen.

“Ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë. Ti je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e Sovranit.

Do ikësh pa dinjitet, por do çlirosh Kuvendin nga drejtimi i një kryetari që nuk diti të drejtojë këtë institucion. Do ikësh pa dinjitet, por do t’u kesh kursyer kolegëve të maxhorancës të të mbrojnë me votë një muaj pasi ke marrë karrigen e numrit dy të Shtetit”, tha Kaso ndër të tjera.

“Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik.

Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm, por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshqitje të rrezikshme të këtij Kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standardeve institucionale. Shkeljet e sipërpërmendura nuk mund të justifikohen me procedurë”, tha Kaso teksa lexonte raportin e PD.