Shëndeti


Katër vajza nga Elbasani dhe një nga Berati, jashtë çdo rreziku


Vajzat kanë falënderuar ekipin e mjekëve dhe infermierëve për kujdesin, si dhe banorët e Himarës për ndihmën e parë


Lënë spitalin e Vlorës pesë nga vajzat e plagosura në aksidentin e Himarës. Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja dhe Adisa Çela janë dërguar dje pranë familjeve të tyre në Elbasan dhe Berat. Sipas mjekëve të spitalit rajonal të Vlorës, pas konsultës së kryer me specialistë të fushave të ndryshme u vendos që pesë vajzat e trajtuara me kurim para tri ditësh, të shkojnë pranë familjeve të tyre, pasi u konstatua se gjendja shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm dhe nuk kanë nevojë për kurim në spital.


Të pesë vajzat kanë deklaruar për “Shqip” se ndiheshin mirë. Ato kanë falënderuar ekipin e mjekëve dhe infermiereve për kujdesin dhe kurimin në mënyrë të shkëlqyer, si dhe banorët e Himarës, të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë.


Sipas drejtorit të spitalit të Vlorës, Shkëlqim Selami, të pesta vajzat do të transportohen me autoambulancat e spitalit rajonal të Vlorës me qëllim që familjarët të mos shpenzojnë, si dhe për të qenë nën kontrollin e mjekëve deri në mbërritjen e tyre në qytetet përkatëse. Fillimisht ato do të shkojnë në spitalet e Elbasanit dhe Beratit dhe pastaj pranë familjeve, me qëllim që ekipet mjekësore të spitaleve përkatëse të mbajë nën vëzhgim studentet deri në shërimin e plotë të tyre. Madje, Selami thotë se, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të familjeve, këtyre studenteve u janë dhënë me vete medikamente nga spitali, për të vazhduar disa ditë trajtimin.


Aktualisht, në spitalin rajonal të Vlorës ndodhen pesë vajza të tjera. Tri prej tyre janë ende në sallën e reanimacionit të kirurgjisë, pasi kanë ende nevojë për t’u mbajtur nën kontroll dhe pse paraqiten në gjendje shëndetësore të mirë. Dy studentet e tjera që ndodhen në repartin e kirurgjisë janë në gjendje më të mirë, por mjekët kanë vendosur t’i mbajnë edhe të paktën 24 orë në observim.


Mikel Marsi