Ndryshimet klimatike po sjellin pasoja të dukshme edhe në brigjet shqiptare.

Në ditët e fundit, në Gjirin e Vlorës janë vërejtur specie të rralla dhe të rrezikshme, që më parë nuk shfaqeshin pranë bregut.

Ky i ri pasionant pas peshkimit me shtizë, është bërë viral në rrjetet sociale, pasi ka kapur një peshk rreth 24 kilogramë, specie që zakonisht gjendet në ujëra të thella.

“Këto specie, ndonjëherë nga grykësia, ndonjëherë nga uria, dalin edhe në breg. Janë predatorë që rrezikojnë gjithçka për ushqimin”, u shpreh peshkatari Sherif Dyrmishi.

Sipas peshkatarit me përvojë, temperatura e ujit në det është rritur me rreth dy gradë Celsius gjatë viteve të fundit, duke ndikuar ndjeshëm në ekosistemin detar dhe në sektorin e peshkimit.

“Peshqit që dikur vinin nga rrymat e detit, tani nuk afrohen më, për shkak të ndryshimeve klimatike”, shton peshkatari.

Llazi Prifti me mbi 65 vite përvojë në peshkim, shprehet se ndotja dhe përdorimi pa kriter i rrjetave kanë shkaktuar dëme të mëdha në faunën detare: “Shumë specie që nuk i njihnim më parë janë shfaqur tani. Ka peshq të egër, si ai që quhet Sirë, që dëmton shumë, por edhe peshkaqenë e specie të tjera të rrezikshme”.

Në Gjirin e Vlorës janë vërejtur gjithashtu specie të rrezikshme, si peshkaqenë, foka dhe peshku mbret, që më parë konsideroheshin të pamundura për t’u parë në këto ujëra. Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja e ujërave dhe ndotja e vazhdueshme mund të ndryshojnë përgjithmonë biodiversitetin në bregdetin shqiptar.

Top Channel