Kryeministri Edi Rama në podcast-in e sotëm “Flasim” ka folur edhe për situatën e krijuar me zv/kryeministren Belinda Balluku.

Sipas Ramës, pezullimi i një ministri është në vetvete absurd si koncept, sepse të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh thjesht një individ -një funksionar publik të cilitdo nivel – por do të thotë të pezullosh një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse në një a më shumë sektorë.

Një debat i hatashëm ka mbushur boshllëkun e klubeve mediatike e të pasqyrave sociale të javës, pasi një prokuror dhe një gjykatës u bënë bashkë, kokë më kokë e pezulluan një anëtar të kabinetit qeveritar.

Unë nuk dua të hyj në asnjë debat për një absurditet kaq të rrezikshëm sa ky dhe pres me durim që Gjykata Kushtetuese t’i japë drejtim çështjes së kësaj rruge të pashkelur askund në Europë, po mesa jemi informuar deri tani, askund edhe në botë.

Por thashë të ndaj me ju sot se çfarë thonë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e Strasburgut për këtë çështje.

Qëndrimi i Venecias është në fakt shumë i prerë.

Gjykatat NUK duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, sepse duke bërë këtë:

Së pari, cënojnë balancën e pushteteve.

Për sa kohë një ministër është figurë politike, pjesë e ekzekutivit, përgjegjës para Parlamentit dhe Kryeministrit, nëse gjykata e pezullon, ajo praktikisht: ndërhyn në punën e qeverisë, ndërron përbërjen e ekzekutivit, merr kompetenca që i takojnë Kryeministrit dhe Presidentit. Dhe kjo konsiderohet nga Venecia shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve.