Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra ditën e sotme, me dyshimin për neglizhencë dhe moskryerje të procedurave standarde.
Vendimi ka ardhur pas një sherri të ndodhur në një lokal në Kamëz, ku i përfshirë dyshohet se është dhe Jeton Lami, ish-oficer i Forcës së Posaçme Operacionale dhe personi i fundit që ka shoqëruar Ervis Martinajn para zhdukjes së tij.
Sipas raportimeve në media, konflikti është regjistruar pranë ambienteve të një lokali, kur ish-oficeri Jeton Lami ka qenë i ulur nën shoqërinë e disa personave. Brenda lokalit Lami është përplasur me një grup tjetër personash mes të cilëve dyshohet se ka qenë dhe një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i identifikuar si Robert Uku.
Policia ka nisur hetimin në lidhje me ngjarjen, teksa fillimisht nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore janë pezulluar nga detyra dy efektiv të komisariatit numër 5 të cilët dyshohet se nuk kanë kryer veprimet procedurale. Po ashtu janë sekuestruar edhe pamjet filmike, ku u regjistrua konflikti, ndërkohë që hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
