AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ka pezulluar katër punonjës të Policisë së Kavajës pas përfundimit të një hetimi disa mujor për shpërdorim të detyrës. Hetimi ka zbuluar se gjatë ushtrimit të detyrës, këta punonjës nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke mundësuar që në zonën e mbulimit të tyre të kultivoheshin 550 bimë kanabis.
Njoftimi:
Kavajë – AMP ekzekuton masat e sigurisë për 4 punonjës policie
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 4 punonjësve të policisë.
➡️ Komisar A. M., me detyrë Shef Seksioni për hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë në kohën e kryerjes së veprës penale dhe aktualisht me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë pranë DVP Fier.
➡️ N/Komisar E. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë.
➡️ Inspektor R. Ç., me detyrë N/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë në kohën e kryerjes së veprës penale dhe aktualisht me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në Seksionin e Qarkullimit Kavajë.
➡️ N/Komisar S. K., me detyrë Specialist / Koordinator për Specialistët e Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Ekzekutimi i masave të sigurisë u bë i mundur pasi këta punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës, nuk kanë kryer kontrolle për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, dhe në zonën e tyre të mbulimit u gjetën të kultivuara 550 bimë narkotike.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].