Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë ka vendosur pezullimin për dy vite të licencës së avokatit Lefter Xhengo, i cili mbron Leli Kajën. Vendimi vjen pasi avokati mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë në GJKKO, duke mos iu bashkuar bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, vendimi u mor pas një mbledhjeje urgjente të Komitetit Disiplinor, të zhvilluar këtë të premte. Mbledhja u thirr pas pjesëmarrjes së dy avokatëve në seancat gjyqësore, pavarësisht bojkotit të vendosur nga Dhoma e Avokatisë.
Ndërkohë, Komiteti Disiplinor vijon shqyrtimin e rastit të avokatit tjetër, i cili një ditë më parë mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gerta Gjocit, duke thyer bojkotin.
Avokatët kanë ndërmarrë bojkotin në shenjë proteste ndaj rregullores së GJKKO-së, të cilën e kundërshtojnë me argumentin se cenon ushtrimin e lirë të profesionit të tyre.
