Shqipëria nuk është më një treg i mirë për industrinë e pijeve freskuese. Gjatë vitit 2025, në vendin tonë u prodhuan 30.8 milionë litra pije freskuese, nga 68.8 milionë litra që u prodhuan në vitin 2024.

Tkurrja e prodhimit me 55%, sipas ekspertit të ekonomisë Klodian Muço, vjen si pasojë e zvogëlimit të tregut. Fabrikat që prodhonin pije freskuese të lira kishin si konsumatorë kryesisht banorët e zonave rurale. Urbanizimi i popullsisë më pas solli edhe përgjysmimin e prodhimit.

“Një pjesë e mirë e brendeve të pijeve freskuese kanë qenë marka që prodhonin kryesisht low-cost, apo për zonat rurale, ndërkohë që, në të vërtetë, kostot e prodhimit janë rritur. Ndoshta edhe klientët e tyre të zonave rurale janë tkurrur, popullsia është zvogëluar dhe, për pasojë, është ulur konsumi”, tha eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Për shumë qytetarë, prodhimi vendas jo gjithmonë përkthehet në cilësi. Për këtë arsye, shqiptarët zgjedhin të freskohen me pijet e përgatitura nga fabrikat e huaja.

Nëse i referohemi të dhënave doganore, në vitin 2025 janë importuar TAB3 104.2 milionë litra pije, por në vitin 2026 kjo shifër pritet të tejkalohet, pasi vetëm në gjashtëmujorin e parë janë importuar 60.4 milionë litra pije freskuese me ngjyrë.

“Në tërësi, në Shqipëri ka pasur një humbje besimi të konsumatorit vendas në raport me prodhimin vendas. Pra, duket sikur ka pasur një mungesë të theksuar cilësie. Pra, le të themi që është një këmbanë alarmi: ose duhet të rrisim standardin, ose ndryshe tregu do të duhet të na përjashtojë”, tha eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Mungesa e kërkesës për pijet Made in Albania më pas sjell dominimin e produkteve të importit në raftet e marketeve. Dhe kjo përkthehet në më pak të ardhura për ekonominë tonë.

“Më pak punësim, më pak investime, pasi prodhuesit vendas do ta kenë gjithmonë e më të vështirë për të gjeneruar kapitale për të investuar në teknologji. Kështu që mungesa e prodhimit vendas do të ndikojë që të jemi të varur nga importi dhe kjo do të sjellë përkeqësim të bilancit tregtar në vend”, tha eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Turizmi duhej të sillte zhvillim të industrisë së pijeve, por kostot e larta të prodhimit i diktojnë biznesit produktin e importit, i cili është më i lirë se ai i prodhuar në vendin tonë.

Top Channel