Fiks Fare iu rikthye një nga ngjarjeve më të bujshme të ndodhura verën e vitit 2024.
Në datën 10 gusht 2024, u raportua se Egli Proga kishte humbur jetën pasi ishte rrëzuar në gjendje të dehur. Familjarët e viktimës thanë se Eglin e vranë dhe më vonë u arrestua autori Denis Meçe, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Pas denoncimeve dhe protestave, Prokuroria e Korçës rikualifikoi ngjarjen në vrasje me dashje.
Por, më shumë se 14 muaj pas ngjarjes, Prokuroria e Korçës nuk po gjen dot kamerat e sigurisë, të cilat janë fshirë, si në lokalin ku ndodhi vrasja ashtu edhe te supermarketi përballë. Kamerat kanë filmuar para dhe pas vrasjes, por jo minutat e vrasjes. Një nga dëshmitarët kryesorë, Andi Shkullaku ka dhënë disa deklarime të ndryshme, njëherë ka thënë se e ka qëlluar vetëm një person (Denis Meçe), më pas e ka rrëfyer se ka qenë edhe Leonidha Guçe (alias Klodi Guçe) që e ka goditur.
Prokuroria ende ka shumë pikëpyetje; Ku janë kamerat, sa vetë e goditën dhe sa persona morën pjesë?! Këto pyetje ende sot e kësaj dite nuk kanë përgjigje, teksa ngjarja vijon të ketë shumë enigma dhe asnjë përgjegjës se kush ndërhyri në serverat.
Dosja është rikthyer për t’u hetuar!
14 muaj pas ngjarjes, dosja është rikthyer sërish për hetim në Prokurorinë e Korçës. Një dëshmitar dhe vetë autori, Denis Meçe, ka ndryshuar disa herë thëniet. Denisi ka thënë fillimisht se viktima u rrëzua i dehur dhe shembi kokën. Më pas janë bërë përgjime ku ka rezultuar se “Denisi e kishte qëlluar me grusht”. Janë bërë 8 muaj hetime dhe vetë autori e ka pranuar se e ka goditur.
Sipas prokurorisë, në momentin që dosja do të shkonte në gjykatë, autori kryesor Denis Meçe ka ndryshuar dëshminë. Ai ka thënë se viktima e ka sharë Leonidha Guçen, teksa ky i fundit është futur brenda. “Aty kam dëgjuar një ooo, ohhh” thotë ai. Më pas, dëshmon se ka parë nga dritarja e lokalit, që Leonidha apo siç e njihnin Klodi, e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës dhe barkut. Dhe pasi viktima është çuar në këmbë, e ka goditur me gju në organin gjenital. “Leonidha kishte në dorë një unazë floriri dhe aty ka ndërhyrë Andi Shkullaku që i ka ndarë” ka vijuar ai.
Denisi ka dëshmuar se është futur brenda në lokal dhe viktima e ka sharë. E ka ftuar që të dilte jashtë dhe e ka goditur një herë në afërsi të veshit të djathtë. Më pas, viktima është rrëzuar në tokë.
Kush i fshiu kamerat e lokalit dhe të supermarketit?!
Megjithëse ndryshoi disa herë akuza dhe dëshmitë, sërish ka shumë pikëpyetje për hetimin e kësaj dosje. Në akt-akuzë shkruhet se kamera e brendshme e lokalit përmban kartë memorie dhe ka regjistrime të ditëve përpara ngjarjes. Por, pamjet e datës së ngjarjes janë fshirë. Fshirja e pamjeve të caktuara nuk mund të ketë ndodhur për shkak të një problemi teknik, por mund të ketë pasur ndërhyrje të qëllimshme.
Pas ekzaminimit të kartës, është zbuluar prania e një virusi, i cili ka prekur vetëm dy foldera dhe dyshohet që ky virus të jetë futur për të fshirë ose manipuluar të dhënat. Sipas dosjes, kamerat kanë funksionuar para se të ndodhte ngjarja, ndërkohë që çuditërisht kanë funksionuar edhe pas vrasjes. Momenti i vrasjes, ose të paktën dikush duhet të ketë ndikuar në këto pamje.
Ndërkohë, në dosje përcaktohet se edhe kamera e jashtme e një supermarketi përmban pamje të periudhës pas ngjarjes, por me një datë të gabuar dhe është vendosur viti 1970. Në këto pamje duken oficerët në vendngjarje, por nuk shfaqen pamjet e momentit të ngjarjes. Kjo anomali sugjeron për një ndërhyrje të mundshme. Prokuroria shkruan se të gjitha pajisjet elektronike janë dërguar në Itali për ekzaminim. Për pasojë, dosja vijon të jetë në vendnumëro, që prej muajit prill 2025, në pritje të letër-porosisë.
Familjarët e Leonidha Guçes: Ngjarja po manipulohet
Familjarët Leonidha (alias Klodi) Guçes, tashmë me akuzën e vrasjes me dashje, ne një intervistë për Fiks Fare ngrenë dyshimet se ngjarja po tentohet të manipulohet sërish, nga të afërmit me pozitë të autorit kryesor Denis Meçe. Ata thonë se po tentohet që të shpëtohet sërish Denisi, duke ia hedhur fajin të afërmit të tyre.
Ata thonë se janë manipuluar sërish dëshmitë, vetëm e vetëm që autori kryesor Denisi të dalë pa lagur. Ata kërkojnë vetëm që të hapen kamerat, të gjendet se kush i fshiu. Fiksi i pyeti se, nëse hapen kamerat dhe del që Leonidha (Klodi) Guçe të ketë marrë pjesë në ngjarje, çfarë apeli kanë? “Të marrë dënimin e merituar, nëse s’e dënon gjykata, do t’a dënojmë ne” thonë ata.
Sipas tyre, edhe Leonidha këtë kërkesë ka, që vetëm të zbardhet ngjarja pasi ai ka qenë jashtë lokalit me dëshmitarë të tjerë. Motra e tij shton se dëshmitari kryesor Andi Shkullaku ka bërë disa deklarime kontradiktore. Madje, familja e Leonidhas e ka takuar disa herë Andin, biseda të cilat i kanë regjistruar.
Në këto biseda, Andi Shkullaku njëherë deklaron se Klodi i është afruar, ndërkohë më pas ka deklaruar se “nuk e ka goditur”. “Sa isha unë jo” ka thënë ai. Ai thotë se tani s’më besojnë as ata në prokurori dhe se “për këtë punë më kanë sakatuar”. Ai thotë se ka dëshmuar gjithmonë se e ka goditur vetëm njëri, ndërsa për dëshminë e fundit thotë se “e kanë ngatërruar”.
Dëshmitari kryesor i dyzuar: Më kanë bërë presion!
Motra e autorit Leonidha Guçe, i cili tashmë po hetohet me masën e sigurisë arrest me burg dhe me akuzën e vrasjes me dashje, ka takuar dëshmitarin kryesor Andi Shkullaku. Andi thotë se e kanë rimarrë në pyetje dhe i kanë prerë fletë arrest. Ai shton se është ballafaquar me autorin Denis Meçe dhe vetë Denisi i ka thënë se Klodi e ka goditur.
“Unë vetë s’pashë gjë, se dola jashtë” thotë ai. Më tej pohon se ka dhënë 4 herë dëshmi dhe tani e kanë nxjerrë të pabesueshëm. Ai thotë se kur e pyetën ishin shumë, të OPGJ-së, dy prokurorë. Ai thotë se gjatë ballafaqimit, Denisi po mundohej të fuste si bashkëpunëtor edhe Klodin. “Denisi e pranoi në ballafaqim se e ka goditur dhe e nxori jashtë me të goditura” thotë ai.
Andi shton se brenda lokalit ishte edhe i zoti i lokalit (ndërkohë në dëshmi i zoti i lokalit ka thënë se s’ka qenë brenda lokalit). “Ai s’flet, se po të flasë ai e ka parë ngjarjen. S’do të flasë, jo dola këtu, dola atje. Ai edhe jashtë se pa kur e goditi Denisi. Thotë isha në banak. Dëshmitari pranon që të vijnë kamerat se ‘lirohen të tërë, edhe unë’. Në lokal kishte kamera brenda” pohon ai.
Familjarët e pyesin nëse ka firmosur ndonjë gjë pa e lexuar dhe ai i përgjigjet se “në tension e sipër, të tërë atje më bënin pyetje. Më sollën mua avokat, avokatët e tyre, prokurorët, OPGJ”.
Dëshmitarët e tjerë: Denisi e goditi në kokë …
Fiksi ka pyetur edhe dy dëshmitarë të tjerë, njëri prej të cilëve Arjan Manellari është duke u hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. “Unë rri në Kroaci erdha që andej. Dola vërdallë dhe po kaloja në lokal dhe më thirrën te lokali që të pinim birra. Po pinim pastaj, pimë nja 3 a 4 birra. Ky Denis Meçe u ngrit prej lokalit dhe u fut brenda. Në tavolinë ishim unë Klodi dhe Denis Meçe. Viktimën s’e mora vesh kishte apo s’kishte njeri brenda, ishin në lokal s’e dija fare. Ne ishim jashtë.
Më pas hyri brenda Denisi brenda. Në lokal erdhi edhe Llazi, solli makinën e Klodit dhe e la atje të parkuar jashtë. Hyri brenda Denisi. Doli dhe hyri sërish, vetëm kur e pamë që e goditi me grusht jashtë “ thotë ai.
Ai shton se në kokë e ka goditur Denis Meçe. “Ne e pamë jashtë lokalit se atje ishim neve. E ka goditur me grusht. Klodi ndodhej me ne në tavolinë. Isha unë, Klodi dhe Llazi. Më pas Klodi u ngrit dhe ndihmoi viktimën me ujë. Denisi iki. Lokali kishte kamera. Ka edhe brenda, po s’e di nëse punonin apo s’punonin. Dhe jashtë ka biznese” shton më tej Arjani. Fiksi e pyet nëse është i sigurt dhe thotë se “i sigurt, ishte me ne”. Ai thotë se edhe atë e kanë akuzuar për moskallëzim krimi, teksa ka dëshmuar 3-4 herë dhe ka rrëfyer vetëm këtë.
Fiksi telefonon edhe dëshmitarin tjetër Llazi Tomorri. Ai thotë se është ndodhur aty rastësisht dhe se ka dëshmuar ato që ka pasur për të thënë. “Unë i kam dhënë në 2 institucione të ndryshme” pohon ai. Fiksi e pyet se kush e ka goditur viktimën? “Kam qenë me kurriz nga vendi ku ka ndodhur ngjarja dhe i kam thënë të gjitha s’kam çfarë të them tjetër” vijon ai. Gazetarët e pyesin sërish se kush e goditi viktimën, Denisi apo Leonidha? “Unë kam thënë për Leonidhën (Klodin) që nuk e kam parë që të çohet nga tavolina dhe të largohet, domethënë që të ketë goditur. Kështu që mbetet që e ka goditur ai tjetri” përfundon ai.
Ballafaqimi mes motrës së autorit Leonidha (Klodi) Guçe me dëshmitarin Andi Shkullaku
Qytetarja – O Andi, po tani Klodi (Leonodha Guçe) ka gisht apo nuk ka gisht?
Dëshmitari Andi – Tani sa isha unë atje …
Qytetarja – Ore ça pe ti?
Dëshmitari Andi – Kur dola unë, ai thoshte (autori Denis Meçe), kur dole ti jashtë, hyre ti pastaj i pe që shtyheshin atje. I kapa prej krahu, i ndava. Sa isha unë në atë kohë ai vërtetë në fillim Klodin shau, kur isha unë në atë kohë. Jo thoshte ai ke qenë ti aty …
Qytetarja – Po Denisi e takove ti atje (te ballafaqimi)?
Dëshmitari Andi – Ai bre …
Qytetarja – Bërë ballafaqim?
Dëshmitari Andi – Po, ballafaqim.
Qytetarja – Ça të tha Denisi ty atje, si të akuzoi ty Denisi?
Dëshmitari Andi – Ishe atje brenda tha. Pastaj erdhi Klodi brenda e kapi prej krahu.
Qytetarja – Këto i tha Denisi?
Dëshmitari Andi – E.
Qytetarja – Po ti vetë e pe Klodin që t’a godiste?
Dëshmitari Andi – Unë kur dola jashtë nuk pashë gjë! Pastaj janë ngacmuar nja dy herë brenda, u afrua njëhere te tavolina thashë unë po nuk kishte goditje siç e bën ata tragjike. Kur dola jashtë nuk e di çfarë është bërë.
Qytetarja – E goditi Klodi apo jo?
Dëshmitari Andi – Po kur kam qenë unë në atë kohë ishin afër. Nuk e pashë që të thosha … Nuk është goditje siç thoni ju, ata e bënë tragjikisht jo goditje me gju, jo ishte me unazë. Unë isha nga puna, më hoqën nga puna, vajta në prokurori e më thanë kështu, kështu. Vajta unë dhe më nxorën direkt me Denisin në ballafaqim.
Qytetarja – Atje kur ishin në ballafaqim, kush ishte, kush të pyeste, çfarë të thoshte?
Dëshmitari Andi – Atje kishte shumë, atje ishin ata të OPGj-së që shkruanin letra. Ishin nja 5-6. Unë i thashë e godite ti jashtë, ti e nxore? Po më tha, e pranoi.
Qytetarja – Aty tani mesa di unë që ju kishit qenë brenda, kush ishte brenda?
Dëshmitari Andi – Unë me të zotin e lokalit.
Qytetarja – Kush është i zoti i lokalit?
Dëshmitari Andi – Volti.
Qytetarja – Po ai nuk e pa atje çfarë bëheshe?
Dëshmitari Andi – Ai tha atje unë dola nga lokali. Po unë i thashë që ke qenë brenda gjithë kohës, s’bënte asnjë gjë.
Qytetarja – Ai Volti ishte brenda kur ndodhi kjo?
Dëshmitari Andi – Njëherë lëvizi, unë e mbaj mend që ishte. Ishte mbrapa banakut. Gjatë kohës ka qenë aty.
Qytetarja – Po kur ndodhi e gjithë kjo nuk ishte aty Volti?
Dëshmitari Andi – Unë kam qenë jashtë, s’e mbaj mend!
Qytetarja – Mos je i impresionuar nga ndonjë, mos ke presione?
Dëshmitari Andi – Ishallah të vijnë ato (kamerat), po erdhën ato lirohemi të tërë, të tërë edhe unë të lirohem që sss. Ato e saktësojnë të tërë vendin.
Qytetari – Kamera kishte lokali brenda?
Dëshmitari Andi – Kishte, ato …
Qytetarja – Mos ke firmosur ndonjë gjë pa lexuar?
Dëshmitari Andi – Tani në presion e sipër.
Qytetarja – Nga se ishe në presion ti Andi?
Dëshmitari Andi – Të tërë atje të merrnin në pyetje, rëndohet. Ndenjta gati 1 orë e gjysmë atje brenda.
Qytetarja – Sa ishin atje brenda?
Dëshmitari Andi – 4-5 veta, avokatët e tyre. Më sollën dhe mua avokat se unë s’kisha.
Qytetarja – I lexove ti ato dokumentet që firmose?
Dëshmitari Andi – Ca i lexova, ato ishin me faqe, s’ka si … Kur na erdhi pastaj ai i policisë vajta në komisariat, 3 ditë atje, në gjyq e pastaj në burg.
Qytetarja – Po ti me Voltin (pronarin e lokalit) bërë ballafaqimin?
Dëshmitari Andi – Bëra. I thashë në Voltit, ai më tha lëvizja nga dera. Ai s’bën asnjë gjë. Ai s’flet, se po të flasi ai.
Qytetarja – Po të flasi ai çfarë?
Dëshmitari Andi – Ai jo po unë dola njëherë, jo po dola kështu, dola ashtu. Ai as andej e as këtej, di unë. Mirë atje se unë dola jashtë, po atje kur e godiste kur e nxori ai as atë s’e pashë. Atë e panë, jashtë e panë të tërë. Ai thoshte s’e pashë!
Qytetari – Gjynah ai Andi (Ergi), la 2 fëmijë rrugëve. Gjynah është për atë, e ka vëlla ajo tjetra s’ka faj. Do të drejtën ajo.
Qytetarja – Do të drejtën. Mos të kanë detyruar ty të thuash ndonjë llaf, ose të firmosësh ndonjë gjë që s’shkon, që s’di. Unë kështu dyshoj.
Dëshmitari Andi – Tani unë ça thashë, thashë.
Qytetarja – E ka goditur Klodi o Andi apo jo?
Dëshmitari Andi – Tani unë po them që u afruan aty, e pashë që ishin afër.
Qytetarja – Po kështu që i ka rënë?
Dëshmitari Andi – Të hapen ato kamerat …
