Strehimi
Kreditë për të përfituar nga programet e pushtetit vendor, kategoritë dhe aplikimi për 400 hua
Lorina Mixha
Me çeljen e vitit të ri, bashkia e kryeqyteti ka nisur të presë edhe aplikimet e para nga qytetarët që duan të përfitojnë një kredi të butë për nevojat e strehimit.
Konkretisht Bashkia e Tiranës ofron për kategori të veçanta të qytetarëve, shërbime strehimi, si banesa me qira, apo ofrohet si negociator me bankat në vend për lehtësimin e kredisë me interes të ulët për nevojtarët por edhe për familjet me të ardhura mesatare.
Për vitin e ardhshëm janë në dispozicion 400 programe për ndërmjetësim kredish lehtësuese, si një nga programet e strehimit. Bëhet fjalë për ata qytetarë që nuk kanë mundësi të mëdha financiare për t’i krijuar kushte familjes për të blerë një apartament, për të marrë një kredi me kushte normale në bankë, për të paguar një kapital të caktuar parash apo për të lënë kolateral në formë garancie. Bonuset e strehimit i përfitojnë në përgjithësi familjet me probleme financiare.
Kriteret
Familjet që përfitojnë nga kreditë e strehimit janë ato që nuk kanë në pronësi një banesë; zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore; kanë të ardhura të pamjaftueshme.
Kanë përparësi individët dhe familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji “Për privatizimin e banesave shtetërore”, familjet, ku kryefamiljari është grua e ve, ose e divorcuar. Kanë përparësi familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare. Kanë më shumë mundësi familjet me shumë fëmijë, çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç, familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret, ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.
Aplikimi
Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit me Qytetarët, pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën e të dhënave elektronike të drejtorisë. Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës ka mundësuar lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar për qytetarët e Tiranës, me anën e të cilit mund të menaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ. Në veçanti, programi bën të mundur arkivimin e të dhënave, leximin individual dhe të përbashkët të të dhënave, menaxhimin e dokumenteve plotësuese, aplikimin e sistemit të pikëzimit, formimin e listave të përfituesve.
Pikëzimi
Situata ekonomike
Të ardhura në lek
0-10 000 6 pikë
10 000 – 20 000 4 pikë
20 000 – 30 000 3 pikë
30 000 – 50 000 2 pikë
mbi 50 000 1 pikë
Të tjera
Nuk kanë përfituar nga ligji 7652 1 pikë
Fatkeqësi natyrore 1 pikë
Kanë ndryshuar vendbanim 1 pikë
Me qira 2 pikë
Banon në një objekt tjetër që është aset i Bashkisë së Tiranës 3 pikë
Banesë me rrezik shembje 2 pikë
Nuk kanë pronësi 1 pikë
Kushtet e banesës
Sipërfaqe e vogël e banesës 1 pikë
Kushte të vështira higjieno-sanitare, lagështirë, suva e rënë etj. 2 pikë
Statusi civil
Kryefamiljare (i/e ve. i/e divorcuar) 1 pikë
Numri i kurorave në një banesë 1 pikë
Numri i fëmijëve (Një pikë për çdo fëmijë) 1 pikë
Familje që kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuar 1 pikë
Familje që kanë në përbërje të tyre anëtarë të moshuar. 1 pikë
Familje me kryefamiljarë të moshuar 1 pikë
Familje me kryefamiljarë, persona me aftësi të kufizuar 1 pikë
Status i veçantë, i verbër, invalid, jetim 2 pikë
Çiftet e reja të cilat janë deri në moshën 55 vjeç. 1 pikë
Probleme shëndetësore kronike 1 pikë