Gjykata e Korçës pushon çështjen ndaj ish-drejtorit të qendrës kulturore, Vladimir Topi
Vajza e Mios e ka konsideruar këtë vendim si një vjedhje të dytë të veprave të artit të babait të saj
Gëzim Ashimi
Dy vjedhjet e kryera të veprave të peizazhistit të njohur korçar dhe Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, mbeten pa autorë. Edhe pse rasti i dytë përfundoi në gjykatë, sërish nuk ka fajtorë për vjedhjen e pikturave, pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar dy vjet burg për të pandehurin për këtë vepër penale. Një proces i tërë gjyqësor, ku janë ngritur akuza konkrete dhe janë paraqitur dokumente që tregojnë se janë vjedhur piktura të Mios, është shuar dje. Akuza për ish-drejtorin e qendrës kulturore, institucion i cili si për ironi të fatit mban emrin e piktorit të mirënjohur korçar, është pushuar dje me një vendim të Gjykatës së Rrethit në Korçë. Në vendimin e saj, gjykata nuk ngarkon asnjë nga të pandehurit me përgjegjësi për zhdukjen e më shumë se 60 pikturave të Vangjush Mios nga ambientet e galerisë së artit në Korçë.
Seanca gjyqësore që është zhvilluar ka qenë në favor të ish-drejtorit të qendrës kulturore, Vladimir Topi, i cili ishte i akuzuari kryesor i kësaj çështjeje. Nga ana e trupit gjykues është vlerësuar se ky procedim penal në ngarkim të tij nuk duhej të kishte filluar dhe se çështja pushohet ngaqë nuk provohet fajësia apo përgjegjësia e ish-drejtorit të qendrës kulturore në zhdukjen e vlerave kulturore dhe artistike, që ishin në ruajtje në ambientet e këtij pallati kulture. Kthesa e këtij procesi gjyqësor ka ardhur në seancën e fundit me rrëzimin e pretendimeve të organit të akuzës. Më parë, Prokuroria kishte paraqitur prova dhe dëshmi se ishte konstatuar mungesa e pikturave të Mios apo edhe të vlerave të tjera të artit figurativ, që janë mbajtur më parë në bodrumet e Pallatit të Kulturës në Korçë.
Mbi 60 piktura të Vangjush Mios, që ishin pronë dhe trashëgimi kulturore e qytetit dhe që ruheshin prej vitesh në ambientet e Pallatit të Kulturës së Korçës, rezultojnë të zhdukura. Gjatë procesit gjyqësor ka dalë se disa prej këtyre pikturave të Mios mund të jenë larguar nga qendra kulturore e qytetit në formë dhuratash që kryetarët e bashkive kanë bërë për homologë të tyre apo vizitorë nga vende të huaja. Prokuroria e Korçës, në bazë të materialit hetimor dhe verifikimeve të specialistëve për skandalin e pikturave të Mios, tha se janë vërtetuar largime të pikturave të këtij artisti të shquar korçar për ekspozita në Greqi, ku janë bërë dhurata për kreun e Bashkisë së Selanikut. I thirrur disa herë për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor në lidhje me zhdukjen e pikturave të Mios, kreu i Bashkisë së Korçës, që ka në varësi edhe këtë institucion të kulturës, nuk është paraqitur asnjëherë deri në seancën e radhës. E ndërsa trupi gjykues ka vendosur në këto rrethana që të pushohet çështja penale ndaj ish-drejtorit të qendrës kulturore, Vladimir Topi, për zhdukjen pa gjurmë të pikturave të mjeshtrit Mio, ka qenë vajza e Piktorit të Popullit, Rozeta Mio, ajo e cila e ka konsideruar këtë vendim si një vjedhje të dytë të veprave të artit të babait të saj, pas asaj të ndodhur rreth vitit 1995, kur u zhdukën tablo me shumë vlerë nga shtëpia muze e piktorit.
