Peshkimi është ndalur
Edhe pse kostot ekonomike dhe njerëzore të piraterisë në brigjet e Somalisë janë të mëdha, piratët mund të jenë duke ndihmuar në përmirësimin e jetës detare në këtë zonë. Ndërkohë që peshkatarët qëndrojnë larg bregdetit somalez, peshqit dhe shkëmbinjtë koralë nënujorë janë duke u gjallëruar gjithmonë e më shumë.
Kostoja e piraterisë në Somali, për vitin 2011, është vlerësuar të jetë rreth 6,6 deri në 6,9 miliardë dollarë, sipas fondacionit “One Earth Future”. Kombet e Bashkuara thonë se, edhe pse numri i incidenteve ka rënë gjatë 2011-s, në fund të vitit kishte ende 265 persona të mbajtur peng. Natyrisht, shumë peshkatarë i shmangin ujërat e Somalisë. Por disa nga ata që po e zhvillojnë ende këtë aktivitet thonë se peshkimi është mjaft i mirë.
Abdul Mohammed Omar është një peshkatar 24-vjeçar nga Lamu, një qytet bregdetar në Kenia, rreth 150 kilometra nga kufiri somalez. Rreth gjashtë muaj më parë, ai ishte në një ekspeditë peshkimi në Kiunga, pranë kufirit. Abduli thotë se tufat më të mëdha të peshqve gjenden afër Somalisë.