Një 26-vjeçar me precedent penal është arrestuar në Korçë pas një operacioni të suksesshëm policor të koduar “Again”. I riu jo vetëm që mbante armë pa leje, por kërcënoi edhe efektivët e Policisë me armë të gatshme për qitje.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Korçës, i arrestuari është Renato Lipe, banues në qytet, i cili rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Korçës dhe forcave operacionale të Drejtorisë Vendore, Lipe refuzoi të hapte derën dhe në kulmin e tensionit, nxori një armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, duke e drejtuar ndaj efektivëve.
Policia bëri disa thirrje paralajmëruese dhe më pas ndërhyri me kujdes, duke e neutralizuar autorin pa shkaktuar asnjë incident.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan:
- Një armë zjarri tip pistoletë (gati për përdorim)
- Municion luftarak
Renato Lipe përbën rrezik të përsëritur për sigurinë publike, pasi është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Materialet procedurale tashmë i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.