Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit shënuan pjesëmarrjen më të ulët historike të regjistruar ndonjëherë në ndonjë proces zgjedhor të mbajtur në Shqipëri.
Në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik e Mat votuan vetëm 18.72% e qytetarëve me të drejtë vote.
Ky është rekordi më negativ përsa i përket përfshirjes së qytetarëve në procesin më të rëndësishëm vendimmarrës për pushtetin vendor, atë të zgjedhjes së kryetarit të Bashkisë.
Dy vjet më parë, në zgjedhjet vendore të vitit 2023, pjesëmarrja ishte 38.23%. Por këtë të diel, afro gjysma e elektoratit që doli në votimet e shkuara, qëndroi në shtëpi. Një pjesëmarrje kaq e ulët nuk u regjistrua as në vitin 2019, kur Partia Socialiste votoi e vetme pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet. Pjesëmarrja zyrtare ishte 22.96%.
Pasojat e bojkotit të paprecedentë të kësaj të diele duket se qëndrojnë te injorimi i procesit nga partitë politike. Zgjedhjet u zhvilluan në një boshllëk të plotë politik, pasi asnjë nga partitë e mëdha nuk u angazhua në fushatë dhe asnjë nga udhëheqësit e tyre nuk doli asnjë ditë në terren.
Nuk pati takime elektorale, hapje apo mbyllje të fushatës, asnjë spot dhe asnjë debat publik në media. Opozita nuk pati as kandidatë të vetët, por mbështeti disa kandidatë të pavarur, duke mos arritur ta angazhojë drejtpërdrejt elektoratin e saj.
Në këtë mënyrë, partitë politike nuk bënë asgjë për të motivuar qytetarët, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë morale procesit, pasi një kryetar bashkie që zgjidhet me më pak se 20% të votave nuk përfaqëson më shumicën e qytetarëve të bashkisë që do të drejtojë.
Zgjedhjet e sotme treguan se sa më shumë partitë politike do të heqin dorë nga proceset zgjedhore, aq më pak qytetarë do ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre nëpër institucione, duke i shndërruar votimet në një procedurë juridikisht të ligjshme, por moralisht të dështuar.
