Rrush i kuq dhe pjeshka greke, që rezultoi e ngarkuar me pesticide, shkakton probleme të mëdha shëndetësore.

Sipas analizave laboratorike, rrushi kishte mbi normë të preparatit bujqësor fungicid, që fermerët e përdorin kundër kalbëzimit. Ndërsa pjeshka rezultoi e spërkatur me helmin e ndaluar, phosmet, insekticid ky që përdoret për të luftuar dëmtuesit e frutit. Ende nuk është e qartë se sa është sasia që kanë konsumuar qytetarët shqiptarë nga 18 ton fruta të rrezikshme që u futën në vendin tonë para disa javësh.

Pjeshka greke jo vetëm që është helmuese për trupin e njeriut, por mbi të gjitha ajo sjell efekte të rënda kronike. Phosmet u hoq nga qarkullimi i BE-së në vitin 2021, sepse ai konsiderohej si kimikati që zhvillon sëmundjet tumorale.

“Efekti kronik është kancerogjen, është neurotoksik, jep çrregullime hormonale, jep probleme të stomakut dhe shkatërron mëlçinë në mënyrë të pakuptueshme, dhe mund të jetë për shkak të pesticideve që gjenden në këto ushqime”, thotë mjekja.

Rrushi i kuq nga Greqia u ble nga tregtarët për shkak se konsumatorët refuzonin prodhimin vendas, me bindjen se prodhimet e fermerëve europianë janë më të shëndetshme se ato vendase. Por e vërteta qëndron ndryshe.

Edhe rrushi i importuar nga Greqia është rritur nën efektin e pesticidit propamocarb, i cili cilësohet si një nga ilaçet me karencën më të gjatë në treg, pasi ai kërkon 28 ditë të shpërbëhet. Efekti i tij është shkatërrimi i biomës së zorrëve, dhe një pacient që nuk ka një zorrë funksionale shoqërohet edhe me sëmundje të shëndetit mendor si ankthi dhe depresioni. Por fungicidi propamocarb nuk dëmton vetëm sistemin nervor, por sjell edhe probleme hormonale.

“Nëse do të flasim që në moshë të vogël, 8-9 muaj, lëngun e pjeshkës dhe të fëmijës, ky fëmijë do të ketë çrregullime hormonale, që do të thotë mund të ketë një pjekuri të hershme, një cikël më të shpejtë menstrual që e shohim te femrat e sotme dhe një zhvillim trupor më të hershëm, ku vajzat 10-vjeçare duken sikur janë tek njëzetat. Dhe nëse krahasojmë brezin tim me atë që është sot, ka një diferencë të theksuar zhvillimi, dhe kjo vjen si pasojë e të ushqyeri”, shton mjekja.

Ngarkesa me fruta të rrezikshme u bllokua nga AKU, të cilët kanë asgjesuar vetëm një sasi të vogël në krahasim me atë që ka hyrë në tregun shqiptar.