Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka refuzuar ftesën e Bajram Begajt për konsultime lidhur me datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke e cilësuar takimin si një procedurë formale dhe të papërshtatshme në situatën aktuale politike.
Në letrën drejtuar kreut të shtetit, Blushi thekson se vëmendja duhet të jetë te protestat dhe kërkesat e studentëve e gjimnazistëve. Ai i kërkon Begajt të përmbushë detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve, pa lejuar që procesi të përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama.
Pjesë nga letra e Tedi Blushit:
“U njoha me ftesën tuaj, por e konsideroj të papërshtatshme pjesëmarrjen në një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, në një moment kur protesta dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve janë kryeagjenda e Shqipërisë. Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës. Për këto arsye, ju bëj me dije se nuk do të marr pjesë në një konsultim formal me ju, të shkëputur nga urgjenca kushtetuese dhe kombëtare me të cilën përballet Shqipëria.”, thuhet në letër.
