Bulqizë – Një tjetër ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në minierat e Bulqizës. Mësohet se dy minatorë, të cilët kanë qenë duke punuar në zonën D janë plagosur rëndë. Emrat e personave të përfshirë në aksident nuk bëhen me dije, pasi drejtuesit e minierës kanë tentuar që t’i mbajnë të fshehtë identitetet e tyre. Minatorët janë plagosur të mërkurën paradite dhe pasi kanë marrë mjekimin e parë në spitalin lokal të Bulqizës janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak për një ndërhyrje të specializuar. Transportimi i tyre drejt kryeqytetit është bërë me mjete private, në mënyrë që ngjarja të mos bëhej publike. Gjendja shëndetësore e minatorëve paraqitet e rëndë dhe njëri prej tyre i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Rrethanat në të cilën ndodhi ngjarja mbeten ende të paqarta dhe askush nga drejtuesit e minierës nuk denjon të japë informacion rreth incidentit në zonën D. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Zona D në Bulqizë njihet për rrezikun e saj dhe në këtë galeri ka pasur në mënyrë të përsëritshme ngjarje të rënda, ku nuk kanë munguar edhe aksidentet me pasojë vdekje.