Policia në Patra ka arrestuar një person të dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, në lidhje me një incident me armë zjarri të ndodhur më 7 prill në zonën e Souli.

Sipas autoriteteve, i arrestuari ishte shpallur në kërkim dhe është paraqitur vetë në polici mëngjesin e djeshëm, përpara se të shoqërohej pranë prokurorit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Akaisë.

Për të njëjtën ngjarje, një tjetër person ishte arrestuar më herët, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e një 30-vjeçari shqiptar, i cili konsiderohet si i dyshuari kryesor.

Ngjarja ka ndodhur më 7 prill 2026, kur një 22-vjeçar mbeti i plagosur në këmbë pas të shtënave me armë zjarri. Sipas dëshmive, ai dhe një mik i tij kishin shkuar në Souli për të zgjidhur një konflikt, por janë përballur me një grup prej rreth 10 personash.

Pas një debati verbal, dy prej tyre kanë nxjerrë armët dhe kanë hapur zjarr, duke lënë të plagosur të riun.

Nga hetimet dhe dëshmitë e mbledhura, policia ka arritur të identifikojë tre persona të përfshirë në sulm, dy prej të cilëve tashmë janë arrestuar, ndërsa kërkimet vijojnë për personin e tretë.