Një 24 vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në plazhin e Durrësit. Ngjarja ndodhi paraditen e së premtes në sektorin “Iliria” të plazhit të madh, në afërsi të një prej hoteleve të kësaj zone. Të shtënat kanë shkaktuar panik te pushuesit e plazhit, ndërkohë që 24 vjeçari nga Durrësi A.Naço është dërguar në Spitalin rajonal ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.


I plagosuri është banor i lagjes 18 të qytetit të Durrësit dhe burime spitalore thanë se pas ndërhyrjes ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se mbi 24 vjeçarin është shtënë disa herë, po vetëm një plumb e ka kapur. Ende nuk bëhen zyrtare motivet e kësaj plagosjeje në plazh, si dhe identiteti i autorit ndërkohë që burime policore thonë se ngjarja kriminale dyshohet paraprakisht të jetë rezultat i një konflikti çasti mes të rinjsh. Strukturat policore të krimit vazhdojnë veprimet proceduriale dhe hetimore në funksion të identifikimit të autorit dhe zbardhjes së motiveve të ngjarjes.


Ndërkaq prania e njerëzve që qarkullojnë të armatosur në zonën e plazhit ku pushojnë njerëz të grupmoshave të ndryshme, shumica e të cilëve familjarë dhe fëmijë, është një tjetër fenomen shqetësues në plazhin e Durrësit krahas aktivitetit të vjedhësve. Në fillim të kësaj jave opinioni publik u trondit nga vjedhja e një automjeti brenda të cilit ndodhej një foshnje, ngjarje kjo që u mbyll fatmirësisht pa pasoja për fëmijën, ndërkohë që ende nuk është identifikuar autori i saj.


29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)