Një person ka mbetur i plagosur me armë gjahu mbrëmjen e kaluar në fshatin Vajkal të Bashkisë Bulqizë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në një zonë bujqësore të fshatit. Sipas informacioneve paraprake, një person ka qëlluar me armë gjahu tip çifte, pasi dyshonte se kafshë të egra po dëmtonin të mbjellat në tokën e tij.

Pas të shtënave, ai ka konstatuar se kishte plagosur një person që ndodhej në zonë.

I plagosuri, 57-vjeçari Naxhi Bici, është transportuar me urgjencë në Spitalin e Bulqizës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, ndërsa po verifikohen dëshmitë dhe provat e mbledhura në terren.