Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për 52-vjeçarin Bledar Bakaj, i dyshuar për plagosjen e rëndë të 67-vjeçarit Enver Grëmi dhe shkeljen e një vendimi gjykate. Ngjarja ndodhi në fshatin Suk të Roskovecit, ku 52-vjeçari dyshohet se është rikthyer në banesën e familjes Grëmi me qëllim marrjen me forcë të vajzës 34-vjeçare.
Përplasja me babanë e saj përfundoi në dhunë fizike, ku 67-vjeçari mbeti i plagosur në këmbë pasi u godit me drapër. Sipas dëshmisë së të atit, konflikti lidhet me një histori të nisur disa muaj më parë. Ai pretendon se Bakaj kishte marrë me vete vajzën e tij pas një vizite në spitalin e Fierit, ndërsa familja kishte humbur kontaktet me të për 45 ditë.
Pas rikthimit në shtëpi, 34-vjeçarja kishte deklaruar se ishte mbajtur kundër dëshirës dhe ishte dhunuar seksualisht. Ajo kishte kërkuar gjithashtu urdhër mbrojtjeje në polici. Vendimi për arrestimin e Bakajt u mor këtë të hënë, pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri më 17 dhjetor 2026, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
