Një 18-vjeçar është arrestuar pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi në ambientet e shkollës së mesme të fshatit Baz, ku ai plagosi me thikë një 17-vjeçar ditën e djeshme.
Ngjarja ka ndodhur në ambientin sportiv të shkollës pas një konflikti të çastit mes dy të rinjve. I arrestuari, Donald Lepuri, 18 vjeç, banues në Laç, akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Pasi u qëllua me thikë, 17-vjeçari u transportua menjëherë në spital, ku mori ndihmën e nevojshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e sigurisë në shkollë për të parandaluar incidente të ngjashme.
