Policia e Sarandë ka arrestuar autorin e plagosjes me thikë të ndodhur paraditen e së mërkurës, ku mbeti i lënduar 42-vjeçari Olsi Muçodema.
Në pranga ka rënë Ylber Hamzaj, 45 vjeç, banues në zonën e Kryemadhit në Kukës, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i konfliktit me synimin për t’i shpëtuar policisë.
Sipas burimeve, konflikti mes dy burrave ka nisur në mënyrë spontane pas një debati banal me motive të çastit. Dyshohet se sherri ka degraduar pas fjalëve “pse më sheh”, edhe pse personat nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin.
Gjatë përplasjes, 45-vjeçari dyshohet se ka goditur me mjet prerës Olsi Muçodemën, duke i shkaktuar plagë në gjoks dhe në dorë.
Pas ngjarjes, autori u largua nga qyteti, por policia, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të incidentit, arriti ta identifikojë dhe ta lokalizojë në zonën e Qafë e Gjashtës.
Burime bëjnë me dije se në momentin e arrestimit, Hamzaj ndodhej në gjendje të dehur. Mësohet gjithashtu se ai kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Sarandë për arsye pune.
