Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin e dyshuar për plagosjen me thikë të një 32-vjeçari në ambientet e Poliklinikës së qytetit, si edhe babanë e tij, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në ngjarje.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi A. F., 18 vjeç, i akuzuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu është arrestuar edhe babai i tij, A. M., 53 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se babë e bir kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç, brenda ambienteve të Poliklinikës në lagjen “Vasil Shanto”. I plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia bën me dije se arrestimi i dy të dyshuarve u bë pas kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër.

Lidhur me të njëjtën ngjarje, më herët uniformat blu arrestuan në flagrancë edhe shtetasin A. K., 41 vjeç, vëllain e të plagosurit, pasi dyshohet se po përgatitej për një akt hakmarrjeje, duke parandaluar kështu një ngjarje tjetër kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme ligjore.